Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka apeluar për respektimin e vendimit për linjat ndërurbane, duke theksuar se protestuesit nga Podujeva duhet të ndjekin të njëjtën linjë si qytetet e tjera të Kosovës. Ai ka nënvizuar se linjat ndërurbane nga qytete të tjera si Drenasi, Peja, Gjakova, Mitrovica, dhe Ferizaji kanë zbatuar vazhdimisht këtë vendim.
Rama ka shpjeguar se ky vendim kërkon që autobusët ndërurbanë të përdorin rrugët rajonale dhe të kenë si pikë ndalimi “Stacionin e Autobusëve”. Ai ka shtuar se deri tani, autobusët nga Podujeva kanë qarkulluar brenda Kryeqytetit, duke shkaktuar ngarkesë të trafikut dhe ndërhyrë në kompetencat e trafikut urban, që është përgjegjës për shërbimet brenda qytetit.
“Kemi zhvilluar takime me përfaqësuesit e linjave nga Podujeva, dhe kemi arritur një marrëveshje që linjat do të ndalojnë tek ‘Stacioni i Autobusëve’. Gjithashtu, Inspektoriati i Kryeqytetit do të kujdeset për largimin e taksive ilegale nga rruga ‘Ilir Konushevci’, të cilat po dëmtojnë operatorët nga Podujeva,” ka deklaruar Rama.
Ai ka bërë thirrje për respektimin e vendimit dhe përmendi se ky vendim është për të mirën e përgjithshme të qytetarëve të Kryeqytetit, si dhe për uljen e ngarkesës në rrugët hyrëse dhe dalëse të Prishtinës.
Përfitimet e vendimit:
- Ulet ngarkesa e trafikut në rrugën “Ilir Konushevci”, e njohur ndryshe si rruga te “Xhamia e Llapit”.
- Qytetarët nga të gjithë qytetet e Kosovës mund të udhëtojnë brenda Kryeqytetit me një biletë të përbashkët për vetëm 80 cent në ditë.
- Qytetarëve të Podujevës dhe Llapit u sigurohet parkimi në “Kodër të Trimave” dhe mundësia për të përdorur transportin urban për të arritur pjesë të tjera të qytetit.
Rama ka përmendur se mosrespektimi i vendimit ka sjellë pasoja ligjore, përfshirë gjobat nga Policia e Kosovës, dhe ka apeluar për bashkëpunim nga protestuesit për një Kryeqytet më të organizuar dhe më të sigurt për të gjithë qytetarët.
Ky eshte postimi i plote i tije:
“Me vëmendje po përcjell protestën e vozitësve të autobusëve nga Podujeva, të cilët po protestojnë para objektit të Komunës kundër vendimit për linjat ndërurbane, vendim i cili është zbatuar dhe respektuar në vazhdimësi nga linjat ndërurbane që vijnë nga Drenasi, Peja, Gjakova, Mitrovica, Ferizaji dhe qytete të tjera.
Ky vendim kërkon që linjat ndërurbane të përdorin rrugët rajonale dhe të kenë si pikë ndalimi “Stacionin e Autobusëve”. Deri tani, autobusët nga Podujeva kanë qarkulluar edhe brenda Kryeqytetit, gjë që ka rënduar trafikun dhe ka ndërhyrë në kompetencat e trafikut urban, i cili është përgjegjës për shërbimet e trafikut brenda Kryeqytetit.
Bashkë me ekipin tim kam pritur disa herë përfaqësuesit e linjave nga Podujeva dhe jemi dakorduar që linjat nga Podujeva do të ndalojnë tek “Stacioni i Autobusëve”, ndërkohë që Inspektoriati i Kryeqytetit do të kujdeset për largimin e taksive ilegale në rrugën “Ilir Konushevci”, që potencialisht po dëmtojnë operatorët nga Podujeva.
Prandaj, ftoj protestuesit që të respektojnë vendimin për të cilin jemi dakorduar në takimet tona – ashtu siç bëjnë edhe linjat e tjera nga qytetet e Kosovës.

KY VENDIM

Përveç tjerash, ndihmon për të ulur ngarkesën e trafikut në rrugën hyrëse dhe dalëse të rrugës “Ilir Konushevci”, e njohur si rruga te “Xhamia e Llapit”.

Me këtë reformë, qytetarët nga e gjithë Kosova do të mund të udhëtojnë brenda Kryeqytetit për vetëm 80 cent në ditë, duke përdorur një biletë të përbashkët për të gjitha linjat e transportit publik.

Me këtë reformë, qytetarëve të Podujevës dhe të gjithë Llapit u sigurohet parkimi në “Kodër të Trimave”, ku mund të lënë automjetet dhe të përdorin transportin urban për t’u lidhur me pjesët e tjera të qytetit.
Mosrespektimi i vendimit ka sjellë pasoja ligjore, përfshirë gjobat e vendosura nga Policia e Kosovës. Vendimet merren për të mirën e përgjithshme të qytetarëve, dhe unë i ftoj protestuesit të respektojnë këto vendime për të siguruar një Kryeqytet më të organizuar dhe më të sigurt për të gjithë.”
Related