Mjeku specialist hematolog, Dr. Adriatik Berisha, ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke sqaruar gjendjen shëndetësore të babait të ish-presidentit Hashim Thaçi, Haxhi Thaçi, i cili ndodhet në gjendje të rënduar shëndetësore, me disa sëmundje shoqëruese.
Në postimin e tij, Dr. Berisha thekson se ka shërbyer për shumë vite si mjek hematolog dhe se ka ndihmuar shumë pacientë, përfshirë ata jashtë kufijve të Kosovës. Ai ka vlerësuar gjithashtu punën e kolegëve të tij, duke përfshirë shërbimet e ofruara për Haxhi Thaçin, i cili ka qenë i hospitalizuar dhe ka marrë trajtim nga shumë profesionistë të shëndetësisë.
Dr. Berisha ka sqaruar se ka monitoruar gjendjen e pacientit për një periudhë të gjatë, duke ofruar vlerësime dhe raportime të detajuara për gjendjen hematologjike të tij. Ai ka theksuar se për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, ka përgatitur një raport mjekësor që ka pasuar vizitën e djeshme të ish-presidentit Thaçi.
“Jam thellësisht krenar që ky proces i vizitës ka kaluar përmes duarve të mia. Sigurisht, pacientit i kam qëndruar afër dhe jam konsultuar me të për çdo çështje profesionale hematologjike, sa herë që ka qenë e nevojshme,” shkruan Dr. Berisha në postimin e tij.
Ai thekson se, si mjek, është gjithmonë i palëkundur, krenar dhe profesionalisht korrekt, duke shërbyer me nder dhe etikë, ashtu siç kanë vepruar edhe prindërit e tij gjatë gjithë jetës. Përfundimisht, Dr. Berisha ka nënvizuar rëndësinë e historisë së shtetit të Kosovës, duke theksuar se ajo është shkruar me “tri shkronja të arta” dhe se do të mbetet e tillë përherë.
I juaji,
Dr. Adriatik Berisha