Në një deklaratë pas bisedimeve të premten në mbrëmje me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kryeministrin norvegjez, Jonas Gahr Store, Starmer tha se “mospërfillja e plotë” e Rusisë për propozimin e armëpushimit nga SHBA-të “thjesht e vërteton se Putini nuk është serioz për paqen”. Presidenti rus, Vladimir Putin, kishte shprehur mbështetje të kushtezuar për një armëpushim 30-ditor, por kishte theksuar se ai duhej të negociohej me bashkëbiseduesit amerikanë.
“Putini po përpiqet të vonojë duke thënë se duhet një studim i kujdesshëm para se të arrihet një armëpushim, por bota duhet të shohë veprime, jo fjalë të kota dhe kushte të pakuptimta. Mesazhi im për Kremlinin është i qartë: Ndaloni sulmet barbare ndaj Ukrainës, njëherë e përgjithmonë, dhe ra dakord për një armëpushim tani,” tha Starmer para takimit të sotëm virtual të Koalicionit të Vullnetit.
Sipas BBC, në takimin virtual të Koalicionit të Vullnetit do të marrin pjesë 25 liderë, përfshirë përfaqësues të disa vendeve evropiane, Komisionit Evropian, NATO-s, Kanadasë dhe të tjerë.
Ende nuk është e qartë nëse kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, do të marrë pjesë në takim. Një deputet nga partia e saj, Vëllezërit e Italisë, Giangiacomo Calovini, tha për BBC-në se ishte “shumë herët” për të diskutuar për dërgimin e paqeruajtësve në Ukrainë. Ai shtoi se Roma nuk është kundër dërgimit të ushtarëve italianë për të ndihmuar popullatën, por “ne mund të dërgojmë ushtarë vetëm nëse ka një mandat të qartë të OKB-së, dhe për momentin kjo është e pamundur”.