Shtëpia e ankandeve e njohur Sotheby’s do të ofrojë për shitje dy fanella legjendare të yjeve të NBA, Kobe Bryant dhe Michael Jordan, me çmimin e pritshëm që mund të arrijë në shifra astronomike.
Në mars dhe prill, Sotheby’s do të organizojë dy ankande për fanellat e dy prej basketbollistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave. I pari që do të dalë në ankand është një fanellë e Michael Jordan, të cilën ai e veshur gjatë periudhës së tij të hershme në karrierë, pasi ishte draftuar nga Chicago Bulls në vitin 1984. Kjo fanellë, që konsiderohet fanella e tij e parë me ekipin dhe është e vetmja fanellë parasezonale e Jordanit që është shfaqur në ankand, pritet të shitet për një shumë rreth 10 milionë dollarë. Ankandi për këtë fanellë do të zhvillohet nga 12 deri më 26 mars, dhe sipas Bloomberg, çmimi përfundimtar mund të arrijë shifra të jashtëzakonshme.
Po ashtu, një fanellë tjetër e rrallë do të dalë në ankand në prill: fanella e Kobe Bryant, ylli i Los Angeles Lakers. Ky artikull i çmuar i koleksionistëve është nga fillimi i karrierës së Bryant, kur ai ishte vetëm 18 vjeç dhe e veshi këtë fanellë gjatë parasezonit dhe pjesës së parë të sezonit 1996/1997. Ankandi për këtë fanellë, që ka ngjyrat karakteristike të Lakers, do të zhvillohet mes datave 10 dhe 24 prill, dhe gjithashtu pritet të arrijë një çmim rreth 10 milionë dollarë.
Ky trend i çmimeve të larta për fanellat e basketbollistëve nga karrierat e hershme ka marrë një rritje të konsiderueshme vitet e fundit. Sipas ekspertëve të Sotheby’s, artikujt e koleksionit nga sezonet e para të karrierave të lojtarëve të famshëm tani po shiten për çmime rekord. “Sa më të rralla të jenë gjërat, aq më të vlefshme bëhen,” thotë Brahm Wachter, kreu i koleksioneve bashkëkohore në Sotheby’s.
Ai shpjegon se fanellat debutuese të lojtarëve janë të veçanta, pasi ndodhin vetëm një herë në karrierë, dhe për këtë arsye ato janë të jashtëzakonshme për koleksionistët. Ai gjithashtu shton se ndryshimi i fanellave gjatë ndeshjeve mund të zvogëlojë vlerën e tyre, pasi ato bëhen më të zakonshme.
Në vitin 2021, një kartë e koleksionit të bejsbollit për Mickey Mantle, e vitit 1952, u shit për një çmim rekord prej 12.6 milionë dollarësh, duke e bërë atë koleksionin sportiv më të shtrenjtë të shitur ndonjëherë.
Fanellat e Jordan dhe Bryant, të cilat do të dalin në ankand këtë vit, janë pjesë e një tendence të re të tregut të koleksioneve, ku artikujt e rrallë dhe historikë po arrijnë çmime që shihen si një investim të jashtëzakonshëm për koleksionistët dhe adhuruesit e sportit.