Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka njoftuar se ka publikuar raportet konsultative për të hyrat maksimale të lejuara për Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT), Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (KEDS) dhe Furnizuesin e Shërbimit Universal (FSHU). Sipas ZRRE-së, këto raporte parashikojnë një rritje mesatare të çmimit të rrymës prej 15% për konsumatorët.
Raportet konsultative paraqesin propozimet fillestare të ZRRE-së për të hyrat maksimale të lejuara për këto ndërmarrje dhe ofrojnë mundësinë që palët e interesuara të shqyrtojnë propozimet dhe të japin komente dhe sugjerime. ZRRE-ja nënvizon rëndësinë e këtij procesi, duke e konsideruar konsultimin publik një element kyç për zhvillimin e politikave të qëndrueshme dhe transparente në fushën rregullative.
Në kuadër të këtij procesi, ZRRE-ja ka ftuar ndërmarrjet, konsumatorët dhe të gjitha palët e tjera të interesuara të shqyrtojnë të dhënat dhe pikëpamjet e përfshira në raportet konsultative dhe të paraqesin komentet dhe sugjerimet e tyre deri më 28 mars 2025.
Propozimi për rritjen e çmimit të rrymës ka ngjallur reagime të shumta nga qytetarët, të cilët janë organizuar në rrjetet sociale me sloganin “Asnjë cent më shumë”, duke kundërshtuar ngritjen e çmimit të energjisë.
ZRRE-ja ka theksuar se ky publikim është një hap i rëndësishëm në procesin e përcaktimit të tarifave dhe ka për qëllim të sigurojë përfshirjen e të gjitha palëve të interesuara në këtë proces të rëndësishëm.