Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka konfirmuar se kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, është takuar gjatë javëve të fundit me Memli Krasniqin dhe Bedri Hamzën nga PDK, si dhe me Ramush Haradinajn nga AAK.
Megjithatë, ai theksoi se nuk ka pasur asnjë takim apo bisedë me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Asnjëherë nuk kemi biseduar me VV këto javët e fundit. Ka iniciativë për takime me partitë tjera opozitare, dhe si rezultat i kësaj iniciative janë mbajtur takime me Hamzën, Memli Krasniqin dhe Ramush Haradinajn,” deklaroi Haziri në RTV21.
Ai gjithashtu u shpreh se LDK-ja është e interesuar për të udhëhequr qeverinë, duke theksuar se kjo parti do të sigurojë stabilitet qeverisës.
“Sonte po e përsërisim atë që i kemi thënë qytetarëve tanë: jemi të interesuar për të udhëhequr qeverinë. Nëse nuk na është dhënë besimi për këtë, nuk mund të ndryshojmë qëndrim tani dhe të deklarojmë diçka tjetër. Ne kemi konfirmuar qëndrimin tonë të pandryshuar – ruajtjen e një qeverie stabile, pasi programi ynë ka qenë ambicioz, por i bazuar,” përfundoi Haziri.