Angela Griep, zëdhënëse e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka njoftuar se një viktimë pjesëmarrëse në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka hequr dorë nga pjesëmarrja për arsye të shqetësimeve për sigurinë. Kjo njoftohet në një deklaratë të dhënë nga Griep më 17 mars, kur mbrojtësi i viktimës informoi trupin gjykues për këtë tërheqje.
“Arsyeja e tërheqjes është shqetësimi për sigurinë”, tha Griep, duke theksuar se, pas kësaj tërheqjeje, aktualisht 154 viktima vazhdojnë të jenë pjesë e procesit gjyqësor përmes mbrojtësve të tyre.
Dje, më 18 mars, është pranuar një dëshmi e dëshmitarit në formë të shkruar në këtë rast, ndërsa pala mbrojtëse ka mundësinë ta merr në pyetje dëshmitarin. Po ashtu, janë pranuar në prova materiale dëshmitë e katër dëshmitarëve, pa pyetje nga mbrojtja.
Përsa i përket kërkesës së Prokurorisë për pranimin e dëshmive të pesë dëshmitarëve të cilët kanë ndërruar jetë, Griep njoftoi se trupi gjykues e ka miratuar këtë kërkesë. Dëshmitë e pesë dëshmitarëve janë pranuar si prova, duke u vlerësuar si të vlefshme dhe të mbështetura nga dëshmitë e tjera, ndërsa një pjesë e një dëshmie të gjashtë u miratua pjesërisht.
Në lidhje me rastin e Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, Griep informoi se masat e paraburgimit janë vazhduar, ndërsa për rastin e Thaçit dhe administrimin e drejtësisë, disa vendime janë bërë publike gjatë javës së kaluar.
Për sa i përket rastit të Salih Mustafës, Griep theksoi se dy raporte të administratores për zbatimin e urdhrit të zhdëmtimit janë publikuar, duke konfirmuar se viktimat kanë marrë përqindjen përkatëse të kompensimeve.
Në lidhje me kërkesën për lirimin e përkohshëm të Thaçit pas vdekjes së babait të tij, Griep theksoi se çdo kërkesë është trajtuar si konfidenciale dhe bëhet publike vetëm pas vizitave dhe riklasifikimit të saj.
Për më tepër, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë vazhdojnë të ofrojnë informacion të rregullt çdo të enjte në orën 14:30 përmes platformës online “Zoom”.