Bisedimet e zhvilluara të hënën mes SHBA-së dhe Rusisë në Arabinë Saudite ishin të dobishme, sipas përfaqësuesit rus në bisedime, Grigory Karasin. Në një intervistë për agjencinë ruse të lajmeve Tass, Karasin theksoi se takimi ishte një dialog intensiv, por shumë i dobishëm për të dyja palët. Ai shtoi se diskutimet për luftën në Ukrainë do të vazhdojnë dhe mund të përfshijnë edhe Kombet e Bashkuara në të ardhmen.
“Ne folëm për gjithçka, ishte një dialog intensiv që nuk ishte i lehtë, por shumë i dobishëm për ne dhe amerikanët,” tha Karasin, kryetar i Komisionit të Senatit për Çështjet Ndërkombëtare, pas një takimi 12-orësh me delegacionin amerikan në Arabinë Saudite. Ai konfirmoi se bisedimet do të vazhdojnë dhe në të ardhmen mund të përfshijnë “komunitetin ndërkombëtar, veçanërisht Kombet e Bashkuara dhe vendet individuale.”
Sipas burimeve të delegacionit rus, të dyja palët do të lëshojnë një deklaratë të përbashkët sot.
Bisedimet midis përfaqësuesve të Ukrainës dhe SHBA-së u zhvilluan gjithashtu të dielën në Arabinë Saudite, ku diskutimet përfshinë mbrojtjen e infrastrukturës energjetike. Pas takimit, delegacioni ukrainas mbeti në Riad.