Në mbledhjen e sotme të Qeverisë është marrë vendimi për emërimin e tij si drejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Akreditimit në MINT, shkruan Reporteri.net.
Ministrja Rozeta Hajdari, e cila e prezantoi propozim-vendimin, tha se pozita në të cilën është përzgjedhur Lipovica ‘garanton ofrimin e një niveli të lartë të cilësisë’ të produkteve, bizneseve dhe shërbimeve në treg.
“Më lejoni që në emër të MINT, shkurtimisht të paraqesë arsyeshmërinë e propozim-vendimit: Akreditimi si një proces me rendësi të lartë me ekonominë vërteton cilësinë dhe besueshmërinë e institucioneve dhe bizneseve pasi që përmes këtij procesi vlerësohet përputhshmëria e produkteve, proceseve, shërbimeve me standarde ndërkombëtare dhe vendore duke garantuar kështu që ato të ofrojnë një nivel të lartë të cilësisë”, tha Hajdari.
Ndryshe, Lipovica bashkë me zyrtarin tjetër Hafiz Gara dhe biznesmenin Ridvan Muharremi ishin arrestuar në gusht të vitit të kaluar lidhur me skandalin e Rezervës Shtetërore.
Në MINT, më 2023, janë kryer bastisje pas publikimit të audio-incizimeve, ku është pretenduar se një sasi vaji, e blerë në Poloni, dhe një sasi gruri, e blerë në Turqi, nuk kanë arritur kurrë.
Hajdari ka thënë se blerjet për rezerva shtetërore janë bërë në përputhje me ligjin, por nuk ka dhënë më shumë detaje, meqë informacionet për to janë sekrete shtetërore.
Ajo e ka akuzuar policinë se gjatë bastisjeve, ka marrë në cilësinë e provave dokumente të klasifikuara si sekrete shtetërore.