Pacolli përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka bërë me dije se pas pesë viteve që kur na njohu Izraeli, Kosova ka marrë njohje të re nga Kenia.
Ai ka bërë me dije se kjo njohje vjen si “fryt i një pune të gjatë, të palodhur, me përkushtim e sakrificë”.
“17 vjet pas Pavarësisë, në një ceremoni të jashtëzakonshme e të paharrueshme, Republika e Kenias – një nga shtetet më të rëndësishme të Afrikës – e njohu zyrtarisht Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran!
Kjo njohje nuk është thjesht një deklaratë – është një fitore e madhe për shtetin e Kosovës, është zëri i lirisë sonë që dëgjohet thellë në zemrën e Afrikës! Sot, flamuri ynë i shtetit ngrihet lart me krenari në Nairobi, dhe kjo është një dëshmi se Kosova ecën përpara, fuqishëm dhe me dinjitet kur punohet dhe ka vullnet për të!
Kjo fitore nuk erdhi rastësisht. Ajo është fryt i një pune të gjatë, të palodhur, me përkushtim e sakrificë. Që nga viti 2009, unë personalisht kam lobuar dhe kam biseduar me autoritetet keniane për ta bërë këtë ditë realitet. Kam shkuar derë më derë, zyrë më zyrë, me vetëm një qëllim – të bëj të njohur zërin dhe të drejtën e popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe sovranitet” – ka shkruar Pacolli.
Kreu i AKR-së ka thënë se kjo është diplomaci me rezultat, ndërsa i bëri thirje Qeverisë së Kosovës që të vendosë marrëdhënie diplomatike me Kenian.
“I bëj thirrje Qeverisë së Kosovës që menjëherë të vendosë marrëdhënie diplomatike me Kenian dhe të hapë një Ambasadë të përbashkët me Repbulikën e Shqipërisë në Nairobi. Kosova duhet të jetë prezente aty ku respektohet dhe mbështetet – në zemrën e Afrikës! Kjo ambasadë do të jetë porta e Kosovës për të hyrë fuqishëm në kontinentin afrikan, për të ndërtuar aleanca të reja politike, ekonomike dhe kulturore.
Dua te shpreh falenderimin për bashkëpunëtorin tim të ngushtë, Jetlir Zyberaj i cili ka qenë në mënyrë permanente syri dhe veshi im jo vetëm në këtë proces të rëndësishëm për Kosovën.
Një falënderim të veçantë dua t’i shpreh edhe Shqipërisë, presidentit Begaj dhe kryeministrit Edi Rama të cilët më kanë dhënë mbështetje shtetërore.
Kjo është dita kur Kosova u pa, u dëgjua dhe u pranua. Kjo është dita kur populli ynë duhet të ndiejë krenarinë e një fitoreje që nuk ka çmim – njohjen ndërkombëtare të shtetit tone” – ka thënë ai.
Theksojmë se Qeveria në detyrë, e drejtuar nga Albin Kurti është kritikuar shumë këto katër vite për shkak se ka dështuar t’i sjellë njohje të reja vendit.