Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të mbajë mbledhjen e radhës sot në orën 16:00, ku në rend dite është certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025.
Në këtë mbledhje, KQZ pritet të shqyrtojë dhe miratojë certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve, si dhe zëvendësimin e të zgjedhurve që kanë hequr dorë nga pozita e deputetit. Ky proces po realizohet pas një periudhe më shumë se 40 ditore, që nga zhvillimi i zgjedhjeve.
Certifikimi i rezultateve ishte vonuar pas ankesave të partive politike lidhur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Disa ditë më parë, KQZ miratoi rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, sipas të cilit Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka arritur të sigurojë mbi 390,000 vota, ose 42.30% të totalit, duke e kryesuar renditjen.
Pas LVV-së, vendin e dytë e mban Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me mbi 190,000 vota, ose 20.95%. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka siguruar mbi 170,000 vota, ose 18.27%, duke u renditur e treta.
Në vendin e katërt është koalicioni i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës Social-demokrate, me mbi 66,000 vota, ose 7.06%. Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, ka siguruar mbi 39,000 vota, ose 4.26%.
Sipas këtyre rezultateve, LVV-ja ka siguruar 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës, PDK-ja 24, LDK-ja 20, Lista Serbe 9, dhe koalicioni AAK-Nisma 8 ulëse.