Konjufca u shpreh qartë se VV-ja nuk mund ta bëjë qeverinë e vetme me 48 ulëset e fituara në Kuvend, duke përmendur edhe ftesën e Kurtit për kryetarin e LDK-së.
Po ashtu, Konjufca e pranoi që partia e tij nuk i arriti qëllimet për zgjedhjet e fundit, duke mos mundur të sigurojë shumicën parlamentare e vetme.
“Vetëvendosja e ka pasë pozicionin transparent gjatë zgjedhjeve. Kemi thënë se qëllimi ynë ka qenë me vazhdu një qeverisje siç e kemi, mundësisht pa partitë tjera opozitare e pastaj e merr rezultatin e zgjedhjeve edhe e sheh që nuk e ke mbërri atë qëllim. Kjo është demokracia. E ke pasë një qëllim dhe nuk ke mbërritur atë. E pastaj e modifikon rrugës. S’është mëkat kjo, demokraci. E vendos një qëllim – nuk e kemi arritur. S’i kemi arritur qëllimet dhe tash jemi në skenarin B. Është rasti më normal i mundshëm”, ka thënë Konjufca.
Gjithashtu, Konjufca ka vlerësuar se skenari ‘A’ i LVV-së, pra ta formojë qeverinë vetë, tani nuk është i mundshëm.
“Kemi thënë qëllimi është ta bëjmë të vetëm qeverinë. A është e mundshme kjo? Mua nuk po më duket e mundshme”, është shprehur ai.
Konjufca u shpreh i gatshëm për të bashkëpunuar me LDK-në dhe se janë në pritje të përgjigjes së ftesës që Kurti ia dërgoi Abdixhikut. Ende nuk ka një përgjigje zyrtare nga kjo parti për ftesën e VV-së./gazetametro.net