Presidenti amerikan Donald Trump ka vendosur një tarifë 10% për mallrat nga shumica e vendeve që importohen në SHBA, me tarifa edhe më të larta për ato që ai i quan “shkelësit më të këqij”. Por si u vendosën saktësisht këto tarifa, në thelb taksat mbi importet?
Cilat ishin llogaritjet?
Kur Trump prezantoi një tabelë gjigante që detajonte tarifat në Kopshtin e Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë, fillimisht u supozua se tarifat bazoheshin në një kombinim të tarifave ekzistuese dhe barrierave të tjera tregtare (si rregulloret).
Por më vonë, Shtëpia e Bardhë publikoi atë që mund të duket si një formulë e komplikuar matematikore, shkruan BBC-i
Por, nëse zgjidhni formulën e mësipërme, ajo zbret në matematikë të thjeshtë: merrni deficitin tregtar për SHBA-në në mallrat me një vend të caktuar, ndani atë me totalin e importeve të mallrave nga ai vend dhe më pas ndani atë numër me dy.
Një deficit tregtar ndodh kur një vend blen (importon) më shumë produkte fizike nga vendet e tjera sesa u shet (eksporton) atyre.
Për shembull, SHBA-ja blen më shumë mallra nga Kina sesa u shet atyre – ka një deficit mallrash prej 295 miliardë dollarësh. Shuma totale e mallrave që blen nga Kina është 440 miliardë dollarë.
Pjesëtimi i 295 me 440 u arrin në 67% dhe ju e ndani atë me dy. Prandaj tarifa e vendosur ndaj Kinës është 34%.
Në mënyrë të ngjashme, kur aplikohej në BE, formula e Shtëpisë së Bardhë rezultoi në një tarifë prej 20%.
A janë tarifat e Trumpit “reciproke”?
Shumë komentues kanë theksuar se këto tarifa nuk janë reciproke.
Reciproke do të thotë se ato bazoheshin në atë që vendet tashmë ngarkojnë SHBA-në në formën e tarifave ekzistuese, plus barrierat jo tarifore (gjëra si rregulloret që rrisin kostot).
Por dokumenti zyrtar i metodologjisë së Shtëpisë së Bardhë e bën të qartë se ata nuk e kanë llogaritur këtë për të gjitha vendet mbi të cilat kanë vendosur tarifa.
Në vend të kësaj, norma tarifore u llogarit në bazë të faktit se do të eliminonte deficitin tregtar të mallrave të SHBA-së me secilin vend.
Trump është shkëputur nga formula për vendosjen e tarifave ndaj vendeve që blejnë më shumë mallra nga SHBA-ja sesa i shesin asaj.
Për shembull, SHBA-ja aktualisht nuk ka deficit tregtar të mallrave me Mbretërinë e Bashkuar. Megjithatë, Britania e Madhe është goditur me një tarifë prej 10%.
Në total, më shumë se 100 vende mbulohen nga regjimi i ri tarifor.