Partia Demokratike e konsideron në shkelje të ligjit transferimin e Erion Veliajt si votues në Durrës. Për këtë, kërkon nga KQZ informacion mbi mënyrën se si kryebashkiaku i Tiranës është bërë pjesë e listës së zgjedhësve në qarkun ku ndodhet në paraburgim. Në mbledhjen e radhës të Komisionerit Shetëtor të Zgjedhjeve, përfaqësuesi ligjor i PD u shpreh se kjo lëvizje është pjesë e një përpjekjeje për krijimin e listave me votues fiktiv në burgje.
Lajmi i publikuar në A2 CNN për transferimin e Erion Veliajt si votues në burgun e Durrësit, ishte ndjekur nga demokratët të cilët kërkuan në KQZ informacione mbi këtë transferim, që e konsiderojnë në shkelje të ligjit.
Sipas përfaqësuesit ligjor të PD-së në KQZ, Franci Nuri, kryebashkiaku i Tiranës, nuk mund të jetë votues në Durrës, duke pretenduar krijimin e listave me votues fiktiv nëpër burgje: “Jo më larg se dje patëm në media rastin e publikuar të Erion Veliajt. Vendimi i Kolegjit Zgjedhor e thotë qartë që kanë të drejtë të votojnë vetëm personat që kanë vendbanimin. Nuk ka as vendqëndrimin 3-mujor në një vend të tillë”.
Ankesa e PD-së duket se u mor në konsideratë nga Celibashi i cili tregoi se kujt i takoi përgjegjësia e hartimit të listës: “Edhe pse kjo është një përgjegjësi e drejtuesve të organeve të qeverisjes vendore, kryetarëve të bashkisë, do t’ua risjellim atyre në vëmendje kërkesat e ligjit në lidhje me hartimin e listave të zgjedhësve në këtë rast”.
Çështjet për Tiranën vijuan në KQZ me vendimin e Celibashit për t’i propozuar KAS gjobitjen e Sekretarit të Përgjithshëm të Bashkisë, për mosraportim të takimit të stafit të bashkisë me kryeministrin në sheshin Skënderbej, zhvilluar më 20 shkurt, pak ditë pas arrestimit të kryebashkiakut Veliaj.