Kreu i PD-së, Sali Berisha ka tentuar të manipulojë opinionin publik, duke keqpërdorur një situatë në Strasburg, gjatë vizitës së kryeministrit Edi Rama në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës në tetor 2022.
Berisha, në një deklaratë për mediat, ka aluduar sot se asokohe u anulua darka zyrtare, pasi sipas tij “Rama nuk ishte i denjë për të marrë pjesë”.
Por faktet janë ndryshe: fjalimi i kryeministrit Rama, i gjatë mbi një orë dhe i duartrokitur nga shumë deputetë europianë, shkaktoi tejkalim të programit, duke bërë që darka e organizuar nga misioni shqiptar të mos zhvillohej, për shkak të axhendës së tejzgjatur.
Për më tepër, Rama zhvilloi një drekë pune me drejtuesit më të lartë të Asamblesë Parlamentare – përfshirë presidentin e parlamentit, sekretaren e përgjithshme dhe krerët e grupeve politike, ku u diskutuan në thellësi të gjitha çështjet me interes për Shqipërinë dhe rajonin.
Kujtojmë që Rama kërkoi një rezolutë, kundër rezolutës së Dick Marty për “krimet shqiptare”.
Por Berisha ka zgjedhur të gënjejë dhe të shtrembërojë të vërtetat, duke mbështetur në mënyrë të turpshme raportin famëkeq të Dick Marty-t, një dokument i përdorur nga prorusët për të njollosur luftën e drejtë të UÇK-së.
Nuk është hera e parë që Berisha merr pozicione që përkojnë me linjat ruse dhe serbe.