Shteti helvetik, Zvicra, ka alarmuar autoritet kosovare për një krem fytyre që prodhohet në Kosovë e që përbën rrezik për shëndetin e njerëzve. Zyra Federale e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë e Zvicres e ka njoftuar Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë të Kosovës që të ndërmerr masa që të mos rrezikojë shëndetin e njerëzve. Periskopi ka siguruar dokumentet dhe detajet e këtij skandali që shteti i Kosovës po e mban sekret. Në shkresën zyrtare të autoriteteve zvicerane kërkohet të merren masa urgjente. Produkti është një krem fytyre i një kompanie kosovare e që sipas shkresës përmban sasi të madhe të merkurit e që është e rrezikshme për shëndetin e njerëzve.
Zyra Federale e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë e Zvicrës i ka kërkuar Kosovës, gjegjësisht Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës që ta tërheq nga tregu një produkt krem për fytyrë për shkak se përmban sasi të lartë të merkurit. Kjo për shkak se një paciente e kishte blerë kremin e fytyrës në Kosovë dhe ishte helmuar duke u detyruar të kërkonte ndihmë mjekësore në Zvicër.
Pacientja u trajtua në Spitalin Universitar të Cyrihut për këtë problem shëndetësore, e ky spital njoftoi autoritetin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare që të ndërmerr masa urgjente ndaj këtij produkti.
Në shkresën e parë që e ka siguruar Periskopi spitali alarmon për kremin e fytyrës duke shpjeguar se pacientja ka pasur komplikime shëndetësore për shkak të përmbajtjes së lartë të merkurit, jashtë normave të lejuara.
“Dëshirojmë t’ju informojmë mbi një rast të helmimit nga mërkuri, i cili lidhet me përdorimin e një kremi fytyre të blerë jashtë vendit. Në repartin tonë kemi trajtuar një paciente, e cila pas përdorimit të përditshëm të këtij kremi fytyre ka zhvilluar komplikime nefrologjike mjeksore. Përmbajtja e merkurit në këtë krem ishte jashtëzakonisht e lartë, me 380,000 mg/kg, shumë mbi vlerat e pranueshme. Fillimisht, rasti u raportua te Swissmedic, por nuk u ndoq më tej, pasi nuk bëhej fjalë për një produkt të blerë në Zvicër. Përfundimisht, kolegët e Swissmedic na sugjeruan të iu kontaktonim. Pacientja e kishte blerë kremin në Kosovë – detajet e tjera nuk i kemi të njohura. Sidoqoftë, këtë krem mund ta gjeni përmes lidhjes së mëposhtme në Facebook: Natural Creme Kosovo Facebook”, thuhet në shkresën që e ka siguruar Periskopi.
Spitali ku ishte trajtuar pacientja kërkon nga autoritetet zvicerane që t’i kërkohet Kosovës që produktin ta largojë nga tregu sepse përbën rrezik serioz për përdoruesit, duke shpresuar se do të mbrohen njerëzit që mund të jenë të ekspozuar ndaj një produkti të tillë.
“Nuk kemi njohuri për raste të ngjashme në Zvicër, por janë raportuar disa raste me burime ekspozimi të ngjashme. Ne do të dëshironim ta raportonim rastin te autoritetet kosovare, pasi ekziston qartë një rrezik shëndetësor. Meqenëse nuk kemi kontaktet e duhura, po ju drejtohemi juve dhe ju lutemi ta përcillni këtë çështje më tej. Shpresojmë që të na ndihmoni dhe të mbrojmë njerëzit që mund të jenë të ekspozuar ndaj një rreziku të tillë shëndetësor”, thuhet në shkrsën e spitalit.
Pas shkresës së spitalit Zyra Federale e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë e Zvicrës njoftoi Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë përmes një shkrese zyrtare, duke i kërkuar që të merren masa ndaj kremit të fytyrës.
“Zyra Federale për Sigurinë Ushqimore dhe Veterinare është informuar nga departamenti i farmakologjisë klinike dhe toksikologjisë në Spitalin Universitar në Cyrih për një problem shëndetësor që ka të bëjë me kremin e fytyrës që është prodhuar në Kosovë. Prandaj dëshirojmë t’ju informojmë që të merren masat e nevojshme. Pacienti e ka blerë kremin në Kosovë – nuk dimë detaje të tjera. Megjithatë, kremi mund të blihet në lidhjen e mëposhtme në Facebook: Krem natyral-Kosova-Facebook”, thuhet në shkresën zyrtare të Zvicrës që e ka siguruar Periskopi.