Siç thuhet në agjendën e publikuar tashmë në faqen zyrtare të Këshillit Evropian, në një drekë pune, ministrat e Jashtme do të diskutojnë zgjerimin e Bashkimit Evropian me partnerët nga Ballkani Perëndimor.
Paraprakisht, të dielen më 13 prill, Kallas do të ketë një darkë jozyrtare me ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëdimor.
“Më 13 prill, Përfaqësuesja e Lartë do të organizojë një darkë jozyrtare me Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve partnere të Ballkanit Perëndimor, ndërsa Këshilli i Punëve të Jashtme më 14 prill do të pasohet nga Dialogu i parë i Nivelit të Lartë BE-Autoriteti Palestinez” – thuhet në njoftim.
Në fillim të kësaj jave, Kaja Kallas qëndroi për vizitë në Tiranë.
Në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Edi Rama, foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi.
“Ky është një proces i vazhdueshëm, ne kemi Përfaqësuesin e ri Special të BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë dhe do të ulemi me të edhe për të parë se çfarë funksionon dhe çfarë jo. Ajo që është e rëndësishme për ne është normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sepse pa këtë asnjëra prej tyre nuk mund të vazhdojë në rrugën e tyre europiane” – u shpreh kryediplomatja evropiane.