Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, është shprehur i bindur se do ta votojnë qeverinë.
Pavarësisht se nuk u ndal para gazetarëve, ai tha se do t’i sigurojnë votat për formimin e qeverisë.
Megjithatë ai nuk u përgjigj për koalicionet potenciale me partitë e tjera të vendit ose mënyrën se si do t’i sigurojnë 61 vota.
“Gjithsesi, patjetër që po. Sipas Kushtetutës, me votat e deputetëve të Kuvendit. Për të gjitha këto (koalicionet me parti të tjera), është çështje e subjektit. Patjetër që po. 61 i kërkon Kushtetuta, sa më shumë sa më mirë”, tha ai
Ndërkaq, përgjigje sa i përket formimit të qeverisë nuk dha kryeministri Albin Kurti.
Ai nuk ka folur para mediave i cili u pyet për formimin e Qeverisë, pasi u regjistrua si deputet në Kuvendin e Kosovës në kuader të regjistrimit të deputetëve të VV-se të cilët kanë siguruar mandatet.
Sot do të regjistrohen deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, parti e cila doli e para në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Ky është një proces formal dhe i domosdoshëm që i paraprin seancës konstituive të Kuvendit, e cila është paraparë të mbahet më 15 prill 2025.
Në atë seancë pritet të zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe të formohen strukturat e para parlamentare.
Ndërkohë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku e ka refuzuar ftesën e Kurtit për takim për konsultime.
Në bazë të rezultateve të Zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 42.30% të votave – duke i siguruar 48 deputetët në Kuvend, Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20.95% të votave apo 24 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës me 18.27% apo 20 deputetë dhe koalicioni AAK-NISMA 7.06% apo 8 deputetë.