Pika kufitare Bllacë, një nga më të ngarkuarat dhe më të përfolurat mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, pritet të hyjë në një fazë të re funksionimi duke filluar nga e shtuna, 12 prill, me zbatimin e sistemit të ri “One Stop Shop”.
Kjo pikë kufitare është bërë e njohur për radhët kilometrike dhe pritjet e gjata të qytetarëve që udhëtojnë mes dy vendeve. Megjithatë, pas disa vonesave në zbatimin e këtij sistemi, tashmë është konfirmuar se gjithçka është gati për të nisur.
Në ceremoninë e hapjes pritet të marrin pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski. Kjo ngjarje përbën një hap të rëndësishëm simbolik drejt përmirësimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe lehtësimit të lëvizjes ndërkufitare.
Sistemi “One Stop Shop” parasheh kontroll të përbashkët kufitar në një pikë të vetme, duke zëvendësuar procedurat e dyfishta të mëparshme. Kjo do të përshpejtojë dukshëm kalimet për qytetarët dhe do të sjellë efikasitet të shtuar për bizneset.