Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka theksuar rëndësinë dhe urgjencën për formimin e një qeverie të qëndrueshme në vend. Në një intervistë për Ekonomia Online, ai e krahasoi situatën aktuale politike në Kosovë me procesin e krijimit të qeverisë në Gjermani pas zgjedhjeve të fundit.
“Sapo patëm zgjedhje në vendin tim. Duhet kohë për të formuar një qeveri. Ajo që ka më shumë rëndësi është që të kemi një qeveri të qëndrueshme, me një shumicë të mirë dhe me konsensus. Shpresojmë të formojmë një qeveri deri javën e ardhshme,” tha Rohde.
Ai theksoi se në një klimë gjeopolitike të paqëndrueshme, formimi i një qeverie funksionale është në interes të qytetarëve dhe shteteve.
“Veçanërisht në këto kohë të paqëndrueshme gjeopolitike, ajo që është në interes të vendeve dhe të popujve është të kenë qeveri të qëndrueshme,” shtoi ambasadori.
Përveç kësaj, Rohde foli edhe për rëndësinë e “patriotizmit kushtetues” në ndërtimin e demokracisë, duke vënë në dukje rolin kyç të Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, kjo gjykatë është një nga shtyllat më të rëndësishme të një demokracie të shëndoshë, pasi garanton respektimin e rregullave të lojës.