Bashkimi Evropian ka vendosur të rrisë ndjeshëm ndihmën financiare për Autoritetin Palestinez, me një paketë trevjeçare prej rreth 1.6 miliardë euro, bëri të ditur Komisionerja Evropiane për Mesdheun, Dubravka Shuica, në një intervistë për Reuters.
Sipas Šuicës, kjo mbështetje do të shkojë paralelisht me zbatimin e reformave nga Autoriteti Palestinez, institucion që shpesh është kritikuar për korrupsion dhe keqmenaxhim.
“Ne duam që ata të reformohen, sepse pa reforma nuk do të jenë aq të fortë dhe të besueshëm për të qenë bashkëbisedues, jo vetëm për ne, por edhe për Izraelin,” deklaroi ajo.
Ky njoftim vjen në prag të dialogut të parë politik të nivelit të lartë mes ministrave të jashtëm të BE-së dhe zyrtarëve të lartë palestinezë, përfshirë kryeministrin Mohammad Mustafa, që do të mbahet të hënën në Luksemburg.
Bashkimi Evropian është donatori më i madh për popullin palestinez dhe shpreson që Autoriteti Palestinez, që aktualisht qeveris Bregun Perëndimor, të mund të marrë në të ardhmen edhe përgjegjësinë për Gazën pas përfundimit të konfliktit me Hamasin.
Megjithatë, qeveria e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu ka refuzuar deri më tani idenë e dorëzimit të kontrollit të Gazës te Autoriteti Palestinez dhe vazhdon të shmangë opsionin e një zgjidhjeje me dy shtete.
Detajet e paketës financiare përfshijnë:
-
620 milionë euro për mbështetje të përgjithshme financiare dhe reforma institucionale;
-
576 milionë euro për “qëndresën dhe rimëkëmbjen” në Bregun Perëndimor dhe Gazë;
-
400 milionë euro në formën e kredive të buta nga Banka Evropiane e Investimeve, me miratim të mundshëm nga organet vendimmarrëse të saj.
“Tani po investojmë në një mënyrë të besueshme në Autoritetin Palestinez,” përfundoi Shuica.