Vetëvendosje ka të drejtë ta ketë kryeparlamentarin, mirëpo votat nuk i ka e vetme dhe duhet të llogarisë në mbështetjen e deputetëve të tjerë.
Për koalicion qeverisës, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja nuk duan bashkëpunim me partinë e Albin Kurtit.
PDK-ja nuk do të marrë pjesë në votim pa “një zgjidhje të qëndrueshme”, tha deputeti i zgjedhur i kësaj partie, Mërgun Lushtaku sot para gazetarëve, pasi u regjistrua në Kuvend.
Sipas tij, “zgjidhja e qëndrueshme për Kosovën është zgjedhja e kryeministrit Bedri Hamza si udhëheqës i Republikës së Kosovës”. Me të, ai tha se “do të krijohet stabiliteti edhe qëndrueshmëria në vend”.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha të premten se “një kryetar i Kuvendit që s’i ka 61 vota për vete, s’duhet të jetë kryetar i Kuvendit në radhë të parë fare”.
“Pra, minimalisht duhet t’i ketë 61 vota, pastaj shihemi për gjëra tjera”, tha ai, pasi u pyet në lidhje me qëndrimin e kësaj partie për votimin e kryetarit të Kuvendit.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se e votojnë kandidatin e partisë së parë për kryetar të Kuvendit.
“Kuptohet, do të bëjmë konsulta të ndërsjella edhe me partitë e tjera opozitare, me PDK-në dhe LDK-në. Por, besoj që konstituimi i Kuvendit është interes i të gjithëve”, tha ai.
Lëvizja Vetëvendosje duhet ta propozojë një emër dhe më pastaj me 61 vota zgjidhet edhe kryetari i parlamentit. Mirëpo, nuk ka ndonjë afat kushtetues që ia paracakton partisë së parë se kur duhet ta propozojë kryetarin, gjë që potencialisht mund ta zvarrisë procesin e formimit të institucioneve.