Si i mbylli sytë Agjencia e Kosovës për Akreditim në rastin e prodekanit të Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, Lulzim Rashiti, duke e lejuar të bëhet bartës i programit “Marketing dhe Menaxhim i Shitjes” në vitin 2024, pa nënshkruar “Deklaratën nën Betim”, e obliguar me Ligj?
Para dy javësh, Gazeta Nacionale kishte raportuar për rastin e veçantë të prodekanit të Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, Lulzim Rashiti, të cilit i ishte mundësuar mbajtja e pozitës së prodekanit, njëkohësisht me pozitën e përfaqësuesit të Odës Ekonomike të Serbisë në Bujanoc.
Kjo dyshohet se përbënte shkelje pasi që, stafi akademik në momentin e angazhimit profesional me orar të plotë të punës, obligohet që të nënshkruajë një “Deklaratë nën Betim” nga Agjencia e Kosovës për Akreditim, ku nënshkruesi vërteton se është i vetëdijshëm që Ligji i Punës në Republikën e Kosovës, lejon vetëm një marrëdhënie të rregullt të punës. Këtë deklaratë, ish dashur ta nënshkruante edhe prodekani i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan…por i njëjti nuk e ka bërë.
Në një përgjigje për Gazetën Nacionale, Agjencia e Kosovës për Akreditim ka konfirmuar se prodekani Lulzim Rashiti, kur është bërë bartës i programit “Marketing dhe Menaxhim i Shitjes” në vitin 2024, nuk ka nënshkruar Deklaratën nën Betim, siç janë të obliguar ta bëjnë i gjithë stafi akademik.
Kur janë pyetur nëse janë në dijeni se prodekani Lulzim Rashiti është i angazhuar me orar të plotë edhe në një tjetër pozitë udhëheqëse në Serbi, AKA-ja ka bërë të ditur se nuk kanë qenë në dijeni, por kanë konfirmuar se një gjë e tillë është e palejueshme.
Për këtë rast, AKA-ja ka bërë të ditur për Nacionale se do të kërkojë përgjigje nga institucioni.
Por si u bë e mundur që prodekani Lulzim Rashiti të mos nënshkruajë Deklaratën nën Betim, që është një nga kriteret themelore për aplikim në AKA dhe njëkohësisht, kriter i përcaktuar nga vet Agjencia e Kosovës për Akreditim? Me rregull, Rashiti si staf akademik është dashur të nënshkruante Deklaratën në Betim që nga viti 2017, kur ishte në pozitën e asistentit fillimisht e pastaj që nga viti 2022 edhe të profesorit asistent, ashtu si gjithë pjesëtarët e tjerë të stafit akademik.
Për këtë, Gazeta Nacionale ka drejtuar pyetje shtesë në AKA, duke i pyetur se si iu mundësua kjo prodekanit Lulzim Rashiti dhe a ka edhe raste të tjera të tilla në AKA, pasi që një veprim i tillë, përbënte shkelje por edhe veprime që dyshohet se bien ndesh me rregulloren e AKA-së, njëkohësisht edhe me Ligjin e Punës.
“Deklaratat nën betim verifikohen nga stafi i AKA-së, me rastin e aplikimit për akreditim. Gjatë vitit 2024-2025, program Marketing dhe Menaxhim i Shitjes, BSc nuk ka qenë në proces të vlerësimit. Bartësit e këtij programi janë verifikuar në vitin 2023, me rastin e aplikimit për akreditim”, thuhet në përgjigjen e AKA-së.
Por në fakt, Gazeta Nacionale ka gjetur që programi studimor ku është bartës prodekani Lulzim Rashiti është akredituar në vitin 2024 dhe verifikimi ka ndodhur po në të njëjtin vit. Ndërkaq, Gazeta Nacionale ka kërkuar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim që të na dërgojnë Deklaratën nën Betim të prodekanit Lulzim Rashiti të vitit 2023, pasi ata kanë deklaruar se ai është verifikuar në atë vit, por të njëjtën, AKA-ja nuk e ka dërguar deri në momentin e publikimit të këtij lajmi. Deri më tani, nuk dihet ende nëse prodekani Lulzim Rashiti ka nënshkruar Deklaratën nën Betim në vitin 2023, ani pse këtë deklaratë i njëjti është dashur ta nënshkruajë që nga viti 2017, për arsye se po atë vit kishte filluar angazhimin e tij si asistent në universitet. Kështu të paktën detyrohen të bëjnë i gjithë stafi akademik në Republikën e Kosovës.
Gazeta Nacionale ka kërkuar nga AKA-ja të verifikojë edhe një herë se kur është bërë akreditimi dhe verifikimi i prodekanit Lulzim Rashiti, por ende nuk ka pranuar përgjigje nga e njëjta.
Të njëjtit, në një përgjigje të mëhershme për Nacionale kanë konfirmuar se menaxhmenti i AKA-së ka autorizuar Divizionin për Monitorim, të monitorojë rastin e prodekanit Lulzim Rashiti, të përgatisë një raport dhe ta dërgojë në Këshillin Shtetëror të Cilësisë – KShC për vendimmarrje të mëtutjeshme.
Kujtojmë se më herët Gazeta Nacionale ka raportuar për prodekanin Lulzim Rashiti i cili dyshohej se në kundërshtim më Ligjin e Punës në Republikën e Kosovës, po mbante dy vende pune me orar të plotë të punës, një në Kosovë si prodekan në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan dhe një pozitë tjetër si përfaqësues i Odës Ekonomike të Serbisë në Bujanoc.
Nga Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan, më herët kanë konfirmuar për Nacionale se kanë qenë në dijeni për angazhimin e Lulzim Rashitit në Serbi, si këshillues në Odën Ekonomike të Serbisë në Bujanoc, por jo me orar të plotë ose si përfaqësues. Të kundërtën e kësaj, e thotë një përgjigje zyrtare nga Oda Ekonomike e Serbisë, e siguruar nga Gazeta Nacionale. Pozitën e Lulzim Rashitit në Odën Ekonomike të Serbisë në Bujanoc, e konfirmon edhe Gazeta Zyrtare e Qeverisë serbe, ku tregon zgjedhjen e Rashitit si përfaqësues në vitin 2017.
Si përfundim, pasi që AKA-ja të bëjë verifikimet e saj dhe të përfundojë raportin, kjo mund të nxisë edhe hetime nga Prokuroria e Shtetit për të vërtetuar nëse ka pasur shkelje ligjore nga ana e prodekanit Lulzim Rashiti, por edhe nëse AKA-ja ka respektuar procedurat e parapara sipas Ligjit në fuqi, që vlejnë për të gjithë stafin akademik. Prodekani Lulzim Rashiti, Deklaratën nën Betim me rregull është dashur ta nënshkruajë që nga viti 2017, për çdo vit, deri në vitin 2024, pasi që AKA-ja obligon Institucionet e Arsimit të Lartë, specifikisht stafin akademik që këto deklarata t’i nënshkruajnë për çdo vit, të njëjtat pastaj t’i ngarkojnë në platformën e E-Akreditimit dhe për një muaj me radhë, AKA-ja bën verifikimin e stafit akademik, për t’i konfirmuar si bartës të programeve pranë institucioneve ku punojnë dhe njëherësh për t’i konfirmuar si staf i rregullt akademik.
NACIONALE.