Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, realizoi sot një vizitë të paparalajmëruar në Ukrainë, ku u prit nga presidenti Volodymyr Zelensky në qytetin jugor të Odesës. Vizita erdhi në një moment kritik për Ukrainën, teksa vendi vazhdon të përballet me agresionin e vazhdueshëm rus.
Gjatë takimit, Rutte ritheksoi angazhimin e NATO-s për të mbështetur Ukrainën, duke deklaruar: “Mbështetja e NATO-s është e palëkundur. Ne do të vazhdojmë të ndihmojmë Ukrainën të mbrohet sot, të pengojë agresionin e ardhshëm dhe të sigurojë një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”. Këto deklarata u bënë publike përmes një postimi në platformën sociale X.
Ai dënoi me ashpërsi edhe sulmin e fundit rus në qytetin e Sumy, ku humbën jetën të paktën 35 persona. Rutte e quajti këtë akt “thjesht të egër” dhe e konsideroi pjesë të një modeli të përsëritur sulmesh ndaj civilëve dhe infrastrukturës kritike. “Vitet e fundit, qindra spitale dhe punonjës shëndetësorë janë shënjestruar”, tha ai në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të NATO-s.
Në takim, Rutte dhe Zelensky diskutuan gjithashtu për përpjekjet ndërkombëtare për paqe, duke përfshirë edhe iniciativat e presidentit amerikan Donald Trump, i cili – sipas Rutte – po zhvillon bisedime sfiduese me Ukrainën dhe Rusinë për të arritur një marrëveshje paqeje. “Ne e mbështesim këtë proces, sado sfidues të jetë ai, dhe jemi të bashkuar me aleatët tanë, përfshirë Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar, në gatishmërinë për të marrë një rol më të madh në sigurimin e paqes”, theksoi ai.
Më pas, Rutte dhe Zelensky vizituan një spital ku po trajtohen ushtarët ukrainas. “Jam mirënjohës për forcën, qëndrueshmërinë dhe përkushtimin e tyre në mbrojtje të popullit tonë”, shkroi Zelensky në rrjetin X.
Sipas agjencisë franceze të lajmeve AFP, gjatë një bisede të veçantë, të dy liderët diskutuan masat urgjente për forcimin e mbrojtjes së Ukrainës, përfshirë kërkesën për sisteme dhe raketa shtesë të mbrojtjes ajrore. Presidenti ukrainas theksoi edhe rëndësinë e krijimit të një “force sigurie” të udhëhequr nga Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, e cila duhet të jetë funksionale në kohë sa më të shpejtë.