Gjiganti amerikan i teknologjisë, Meta, do të fillojë së shpejti të përmirësojë modelet e tij të inteligjencës artificiale për përdoruesit evropianë, duke përdorur përmbajtje publike të ndara nga të rriturit në Bashkimin Evropian – përfshirë postime, komente dhe ndërveprime me sistemet AI të vetë kompanisë.
Sipas agjencisë gjermane të lajmeve dpa, Meta do të përdorë të dhëna nga platformat e saj – Facebook, Instagram, WhatsApp dhe Messenger – për të zhvilluar më tej teknologjitë e inteligjencës artificiale. Lëvizja vjen pas lançimit të asistentit Meta AI në BE muajin e kaluar, ndërkohë që ky shërbim është i disponueshëm në SHBA që prej vitit 2023. Në Evropë, zbatimi i tij ishte vonuar për shkak të kërkesave të rrepta ligjore në fushën e privatësisë.
Meta ka theksuar se përdoruesit do të njoftohen përmes aplikacioneve dhe emailit rreth grumbullimit të të dhënave, dhe se secili ka të drejtë të refuzojë pjesëmarrjen në këtë proces. Kompania ka deklaruar se do të respektojë çdo kërkesë për përjashtim – përfshirë ato që janë dorëzuar më parë – dhe se nuk do të përdoren mesazhe private apo të dhëna nga përdorues nën moshën 18 vjeç.
Qëllimi i Meta-s është të krijojë modele më të përshtatura për kontekstin evropian, duke përfshirë gjuhët, dialektet rajonale, kulturat dhe shprehjet unike, si humori dhe sarkazma.
Kompania ka theksuar se kjo qasje është në përputhje me praktikat e industrisë, duke përmendur se edhe konkurrentë të tjerë si Google dhe OpenAI kanë përdorur metoda të ngjashme për të përmirësuar modelet e tyre të AI.
Vendimi për fillimin e këtij procesi erdhi pas miratimit nga Bordi Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave, i cili konfirmoi se Meta është në përputhje me detyrimet ligjore të Bashkimit Evropian.