Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka propozuar sot emrat për dy nga pozitat më të rëndësishme që mbulon partia në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Gjatë një mbledhjeje me strukturat vendimmarrëse të partisë, Abdixhiku njoftoi se ka propozuar Akademik Kujtim Shalën për postin e nënkryetarit të Kuvendit, si dhe Dr. Hykmete Bajramin për pozitën e shefes së Grupit Parlamentar të LDK-së.
“Propozimi është mbështetur nga Grupi Parlamentar dhe nga Kryesia e LDK-së; dhe të dy pozitat do të nominohen përkatësisht caktohen nga grupi ynë,” shkroi Abdixhiku.
Ai uroi të dy të propozuarit për suksese në këto detyra të reja, duke theksuar rëndësinë e përgjegjësisë që mbajnë ndaj partisë, votuesve dhe popullit të Kosovës.
“Ju priftë e mbara e dalshi faqebardhë në këtë detyrë fisnike për shtëpinë tonë politike, votuesit tanë e popullin e Kosovës,” përfundoi Abdixhiku në deklaratën e tij.