Këshilltarja për media e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, ka bërë të ditur se mbi 15 shtete kanë kërkuar marrëveshje tregtare për tarifat me Shtetet e Bashkuara, të cilat aktualisht janë në proces shqyrtimi. Sipas saj, disa prej këtyre marrëveshjeve pritet të shpallen publikisht shumë shpejt.
Leavitt theksoi se presidenti Donald Trump është i përkushtuar në rikthimin e Shteteve të Bashkuara si një “fuqi prodhuese” në skenën globale.
Në një tjetër zhvillim, Leavitt foli edhe për vendimin e administratës Trump për ngrirjen e mbi 2.2 miliardë dollarëve fonde për Universitetin Harvard. Ajo akuzoi universitetin se nuk i ka marrë seriozisht paralajmërimet lidhur me çështjet e antisemitizmit në kampus, duke theksuar se administrata kërkon që Harvard të kërkojë falje për atë që e përshkroi si “antisemitizëm kundër studentëve hebre”.
Ndërkohë, sa i përket marrëdhënieve tregtare me Kinën, Leavitt deklaroi se “topi është në anën e Kinës”, duke shtuar se presidenti Trump mbetet i hapur për një marrëveshje, por theksoi se është Kina ajo që duhet të ndërmarrë hapa konkretë për arritjen e një marrëveshjeje të drejtë me SHBA-në.