Administrata e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, po shqyrton mbylljen e rreth 30 misioneve diplomatike amerikane në mbarë botën, si pjesë e një reforme të gjerë në praninë ndërkombëtare të diplomacisë amerikane. Lajmi është zbuluar nga një dokument i brendshëm i Departamentit të Shtetit, të cilin e ka siguruar CNN.
Sipas dokumentit, bëhet fjalë për mbylljen e 10 ambasadave dhe 17 konsullatave, përfshirë:
-
Dy zyra konsullore në Bosnje dhe Hercegovinë (Mostar dhe Banja Luka),
-
Pesë konsullata në Francë,
-
Dy në Gjermani,
-
Një në Mbretërinë e Bashkuar,
-
Një në Afrikën e Jugut,
-
Një në Korenë e Jugut.
Po ashtu, dokumenti sugjeron reduktimin e pranisë diplomatike amerikane në vende si Somali dhe Irak, të cilat janë konsideruar strategjike për përpjekjet e SHBA në luftën kundër terrorizmit.
Kjo nismë vjen si pjesë e përpjekjeve të administratës Trump për të zvogëluar madhësinë dhe shpenzimet e qeverisë federale, e udhëhequr nga Departamenti për Efikasitetin e Qeverisë, një njësi e krijuar nga administrata Trump dhe e drejtuar nga Elon Musk.
Ende nuk është bërë e qartë nëse Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka dhënë miratimin për mbylljen e këtyre misioneve diplomatike.