Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj kërkon të lirohet nga qelia, teksa kanë kaluar rreth dy muaj pas caktimit të masës “arrest në burg” nga Gjykata e Posaçme.
Përmes një kërkese drejtuar togave të zeza, Veliaj ka kërkuar revokim ose zëvendësim të masës së sigurisë si dhe informacion dy-mujor nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion lidhur me hetimet që po kryhen ndaj tij për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Kjo kërkesë e kryebashkiakut pritet të shqyrtohet nga gjyqtari i hetimit paraprak Erjon Bani, i cili firmosi masën “arrest në burg” në Shkurt të këtij viti.
Gazetarja e Klan News Glidona Daci bën të ditur se në seancën për informacionin dy mujor në Gjykatën e Posaçme që do të zhvillohet në orën 12:00 kryebashkiaku Erion Veliaj nuk do të jetë i pranishëm në sallë.
Kryetari i bashkisë do të përfaqësohet nga avokatët të cilët do të dëgjojnë rezultatet e hetimeve të SPAK gjatë këtyre dy muajve.
Kujtojmë se Veliaj u arrestua më 10 Shkurt, i akuzuar për dy vepra penale, atë të “korrupsionit pasiv” në 9 raste dhe “pastrim parash”. 2 ditë më vonë, u verifikua masa e “arrestit me burg” ndaj tij në GJKKO, ndërkohë që për bashkëshorten e tij Ajola Xoxa u caktua masa e “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”.