QIKA, të premten, ka dorëzuar zyrtarisht ankesë në Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), për përmbajtjen e transmetuar në emisionin Kosova Today më 7 dhe 8 prill 2025, ku së pari është paraqitur imami Fehim Dragusha i cili akuzonte ish-bashkëshorten e tij për tradhëti e ku më pas u detyrua të paraqitej nëna e gruas për të demantuar Dragushën dhe për të mbrojtur zgjedhjet e vajzës së saj.
“Kosova Today, për të disatën herë, fton dhe u ofron hapësirë mediatike abuzuesve të grave, të cilët kanë raste të hapura në institucionet relevante – pas Atilla Kardesh, tashmë edhe Fehim Dragusha, i dënuar për dhunë fizike dhe seksuale ndaj bashkëshortes, për çka është dëbuar nga Zvicra.”, thuhet në ankesë, teksa janë paraqitur provat dhe dëshmitë që e faktojnë këtë.
Liria e shprehjes dhe liria e medias vijnë me përgjegjësi profesionale e ligjore. Është detyrë e mediumit Klan Kosova që këto të drejta t’i ushtrojë duke respektuar dinjitetin njerëzor, të drejtën për privatësi dhe të mos kontribuojë në normalizimin e dhunës dhe diskriminimit gjinor në diskursin publik.
“Vendimi i emisionit Kosova Today për t’i dhënë platformë një dhunuesi të dënuar dhe për ta kthyer rastin e tij në përmbajtje sensacionale për një publik kaq të gjerë përbën abuzim me lirinë e medias dhe cenim të drejtpërdrejtë të etikës profesionale mediale.”
QIKA ka konstatuar se ky emision, i cili është shembull i qartë i normalizimit të dhunës ndaj grave si mjet senzacioni dhe përfitimi, ka shkelur nenin 2, 3 dhe 4 të Kodit të Etikës për ofruesit e shërbimeve mediale në Republikën e Kosovës.
Për këto shkelje QIKA ka kërkuar nga KPM që të shqiptojë gjobën më të lartë financiare ndaj televizionit Klan Kosova për shkeljen e përsëritur të Kodit të Etikës, të kërkojë nga televizioni Klan Kosova kërkimfalje publike ndaj viktimës dhe publikut për përmbajtje të papërshtatshme dhe të dëmshme, si dhe të ndërpresë transmetimin e emisionit “Kosova Today”, për shkak të të përsëritjes së prodhimit të kësaj përmbajtjeje.
Nga KPM është kërkuar që kjo ankesë të trajtohet drejt dhe me prioritet, në përputhje me Ligjin për Barazi Gjinore dhe Ligjin për Mbrojtje nga Diskriminimi, duke marrë parasysh natyrën e ndjeshme dhe ndikimin negativ që përmbajtje të tilla kanë mbi të drejtat dhe dinjitetin e grave.