Të enjten, Kosova do të përballet me kushte të motit të ndryshueshëm. Gjatë ditës parashihet mot i nxehtë dhe me diell, mirëpo pasdite priten zhvillime të fuqishme konvektive, fillimisht në Dukagjin dhe zonat përreth. Këto zhvillime do të sjellin rrebeshe lokale shiu, të shoqëruara me vetëtima dhe bubullimë.
Reshjet pritet të jenë mjaft intensive dhe mund të shkaktojnë vërshime të shpejta, veçanërisht vërshime urbane. Më vonë gjatë mbrëmjes ose natës, një sistem frontal do të kalojë nga Dukagjini në pjesët tjera të Kosovës, duke sjellë reshje të fuqishme shiu dhe stuhi elektrike.
Zonat më të prekura pritet të jenë Dukagjini, pjesë të Drenicës, rajonet përreth dhe veriu i vendit. Në këto pjesë, sipas disa modeleve meteorologjike, reshjet do të jenë më të gjata dhe intensive. Para ardhjes së frontit, parashihen zhvillime të forta para-frontale, duke rritur rrezikun për vërshime të menjëhershme.
Edhe në Shqipëri, të enjten do të mbajë mot i nxehtë gjatë ditës, ndërsa në orët e pasdites ose mbrëmjes pritet kalimi i një sistemi frontal me rrebeshe intensive shiu, sidomos në zonat qendrore, lindore dhe veriore.
Në Maqedoninë e Veriut, dita do të karakterizohet me diell dhe vranësira lokale, ndërsa rrebeshet e shiut do të arrijnë në mbrëmje vonë ose gjatë natës nga perëndimi dhe veriperëndimi.
Ndërkohë, në Mal të Zi gjithashtu priten rrebeshe shiu të enjten, kurse në Luginën e Preshevës dita do të jetë kryesisht me diell dhe e nxehtë, me reshje të parashikuara gjatë natës vonë ose në orët e para të së premtes.