Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) nuk pret konstituimin e Kuvendit të Kosovës as në seancën e sotme. Eugen Cakolli, analist nga KDI, ka deklaruar se Vetëvendosje nuk i ka numrat për të kaluar raportin e Komisionit për verifikimin e mandateve dhe se mungesa e dorëheqjeve formale të ministrave vazhdon të mbetet pengesë procedurale dhe politike.
Seanca e sotme, që pritet të vazhdojë në orën 12:00, është vazhdim i asaj të ndërprerë më 15 prill, kur partitë opozitare – PDK, LDK dhe AAK – votuan kundër raportit të Komisionit, me arsyetimin se anëtarët e qeverisë që janë zgjedhur deputetë nuk kanë paraqitur dorëheqjet e tyre në mënyrë formale.
Dy pengesa kryesore: politike dhe procedurale
“Bazuar në qëndrimet e deritanishme të partive, nuk pres që të përmbyllet konstituimi i Kuvendit. Mungojnë dorëheqjet formale të ministrave, dhe Vetëvendosje nuk i ka numrat për të kaluar raportin”, tha Cakolli në një intervistë për “Interaktiv”.
Ai theksoi se mosdorëzimi i 15 dorëheqjeve individuale në administratën e Kuvendit është një pengesë e qartë procedurale, ndërsa mungesa e votave është pengesë politike. Sipas tij, përpjekjet për ta paraqitur letrën e kryeministrit Kurti si dorëheqje të mjaftueshme janë të paqëndrueshme dhe të pasakta në aspektin ligjor.
Rreziku i krizës kushtetuese
Cakolli paralajmëroi se nëse raporti i Komisionit miratohet pa plotësimin e kritereve ligjore, opozita mund ta çojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, duke e futur vendin në një krizë kushtetuese.
“Kemi luftë fjalësh sepse ka mungesë të numrave. Në mungesë të tyre nuk besoj se do ketë kompromis. Letra formale e dorëheqjes është e domosdoshme”, theksoi ai.
Pazare politike me komunitetet?
Sipas Cakollit, mospjesëmarrja në votim e disa deputetëve nga komunitetet më 15 prill është një sinjal i qartë se po kërkohet një marrëveshje politike për ndarjen e pushtetit. “Ka pasur kërkesa për pazare politike”, u shpreh ai.
Kriza institucionale në horizont?
Cakolli nuk përjashtoi mundësinë që vendi të futet në krizë institucionale, por la hapur mundësinë e zgjidhjes përmes involvimit të Gjykatës Kushtetuese. “Ka modalitete që mund të përdoren, përfshirë afatin 48-orësh dhe rolin e Kushtetueses, nëse partitë shfaqin vullnet për zgjidhje,” përfundoi ai.
Për momentin, konstituimi i Kuvendit mbetet i pasigurt dhe ngërçi institucional rrezikon të thellohet.