Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se më 16 maj Shqipëria do të jetë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, duke pritur në Tiranë Samitin e Komunitetit Politik Europian (EPC). Ai e cilësoi këtë ngjarje si një moment historik për vendin dhe për politikën europiane.
“Më 16 maj, Shqipëria do të jetë epiqendra e politikës europiane. Do të jetë një moment i rëndësishëm për rritjen e kuotave të vendit në arenën ndërkombëtare dhe një promovim i jashtëzakonshëm turistik, pasi Tirana do të jetë në ekranet e gjithë botës”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë nënvizoi rëndësinë e kësaj ngjarjeje, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për të ardhmen e kontinentit. Në samit pritet të diskutohen tema kyçe si siguria, rritja ekonomike, pabarazia sociale dhe mjetet për zbutjen e kostos së jetesës në Europë.
Pjesë e këtij takimi do të jetë edhe kancelari i ri i Gjermanisë, në vizitën e tij të parë në këtë format, çka e bën edhe më të rëndësishëm samitin për rajonin dhe më gjerë.
Rama theksoi gjithashtu se ky është një tjetër hap përpara në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit europian:
“Që Shqipëria të mbyllë hendekun historik me Evropën, duhet të jetë pjesë e Bashkimit Europian. Jam optimist se jemi në 100 metrat e fundit drejt këtij qëllimi.”
Ndërkohë, ai kujtoi se pak ditë para samitit, Shqipëria do të jetë sërish në vëmendjen e mediave botërore, pasi është përfshirë në itinerarin e Giro d’Italia, duke i dhënë vendit edhe një tjetër mundësi për promovim ndërkombëtar.