Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka reaguar pas dështimit të dytë për formimin e institucioneve kryesore të vendit – Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Hargreaves theksoi se “dy muaj pas zgjedhjeve, Kosova ka urgjentisht nevojë për Kuvend funksional dhe qeveri”. Ai shtoi se qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të presin që liderët politikë të punojnë së bashku në interes të vendit.
Të enjten, përpjekja e dytë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dështoi sërish. Kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari, pasi zhvilloi një takim me përfaqësues të partive politike, vendosi ta ndërpresë seancën dhe njoftoi se ajo do të vazhdojë më 19 prill.
Sipas Deharit, gjatë takimit nuk u arrit konsensus, ndërsa disa përfaqësues politikë zgjodhën ta braktisin takimin, duke thelluar edhe më shumë ngërçin institucional në vend.