Dardan Molliqaj u arrestua sot gjatë ditës në Prishtinë. Ndaj tij ishte lëshuar urdhërarrest.
Avokati i Molliqajt, Dren Kukaj, ka kërkuar që seanca të shtyhet për një ditë tjetër. Sipas tij, ftesat për t’u paraqitur në gjykatore nuk kanë arritur asnjëherë në adresën e Molliqajt.
“Kërkoj që seanca të shtyhet për shkak se nuk jemi të pajisur me shkresat e lëndës. Pasi që të kemi shkresat atëherë të mbahet. I propozoj gjykatës që të revokohet urdhërarresti meqenëse i pandehuri është i pranishëm në procedurë. [Molliqaj] është i gatshëm të vi në seancë. Ftesat nuk kanë arritur asnjëherë në adresë të tij. Por, tash e tutje ne jemi këtu dhe do të paraqitemi”, tha avokati Kukaj, raporton Kallxo.com, transmeton Periskopi
Gjykata mori aktvendim që të shtyhet seanca për datën 30.04.2025.
Njësia e Reagimit të Shpejtë e Policisë së Kosovës ka arrestuar sot, 17.04.2025, kryetarin e Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqajn.
Siç ka njoftuar PSD, ai ishte rrugës për një takim.
“Ky arrestim është totalisht jashtë çdo racionaliteti. Përderisa nuk ka marrë as ftesë nga gjykata dhe në të njëjtën kohë çdo ditë është në rutinën e tij dhe mund të gjendet lehtësisht, kjo sjellje nuk mund të lexohet ndryshe përveç se presion politik dhe demonstrim force nga një njësi e krijuar për situata emergjente dhe të rrezikshme, jo për të ndaluar opozitën politike”, thuhet në reagimin e PSD-së.