Grupi qytetar “Asnjë cent më shumë” ka paralajmëruar mbajtjen e një konference për media, e cila do të zhvillohet të premten, më 18 prill, duke filluar nga ora 12:00 në Sheshin “Skënderbeu”, pranë Kuvendit të Kosovës.
Sipas njoftimit të bërë publik, kjo konferencë organizohet në vazhdën e kundërshtimeve qytetare ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për 16.1%.
Përfaqësuesit e grupit paralajmërojnë se në këtë konferencë do të bëhen publike kërkesat e tyre kryesore, përfshirë:
-
Shkarkimin e Bordit të ZRrE-së,
-
Shfuqizimin e menjëhershëm të vendimit për rritjen e çmimit,
-
Garancinë për transparencë në të gjitha proceset vendimmarrëse që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.
Po ashtu, gjatë konferencës do të publikohen edhe detajet për protestën qytetare të paralajmëruar për ditën e shtunë, më 20 prill, në Prishtinë. Organizatorët theksojnë se kjo protestë do të jetë një vazhdimësi e rezistencës kundër asaj që e quajnë “padrejtësi sociale dhe ekonomike” të shkaktuar nga vendime arbitrare.
Grupi “Asnjë cent më shumë” po bën thirrje për pjesëmarrje të gjerë qytetare, duke potencuar se ky mobilizim është i domosdoshëm për të mbrojtur interesin publik dhe për të kërkuar llogaridhënie institucionale.