Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se një marrëveshje për shfrytëzimin e mineraleve të Ukrainës nga Shtetet e Bashkuara pritet të nënshkruhet javën e ardhshme. Në një konferencë për media në Shtëpinë e Bardhë, pas takimit me kryeministren italiane Giorgia Meloni, Trump theksoi se Ukraina ka pranuar këtë marrëveshje dhe se ajo do të konkretizohet së shpejti.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Trump deklaroi se nuk fajëson presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky për luftën me Rusinë. “Unë nuk po them se Zelensky është përgjegjës, por nuk jam i emocionuar që lufta filloi. Nuk po e fajësoj, por them se ai nuk bëri punën më të mirë,” u shpreh Trump.
Ai gjithashtu njoftoi se marrëveshja për mineralet do të nënshkruhet të enjten e ardhshme dhe shtoi: “Pres që ata t’i përmbahen marrëveshjes. Do të shohim, por ajo ekziston.”
Takimi me Melonin u përqendrua edhe në bashkëpunimin SHBA-BE për çështjet tregtare dhe konfliktin në Ukrainë. Trump e përshëndeti rolin e Italisë në mbështetjen ndaj Ukrainës dhe vlerësoi një mision të mundshëm paqeruajtës nga BE-ja në këtë shtet. “Misionet paqeruajtëse janë gjithmonë të mirëseardhura,” tha ai, duke shtuar se Italia do të vendosë vetë për përfshirjen e saj.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi sot në Kiev se një memorandum mirëkuptimi për mineralet mund të nënshkruhet menjëherë edhe online, ndërsa juristët e të dyja palëve vazhdojnë të punojnë për finalizimin e marrëveshjes, sipas raportimeve të agjencisë së lajmeve DPA.
Marrëveshja kishte qenë në diskutim që në muajin shkurt, kur Trump dhe zëvendëspresidenti JD Vance patën kritika të ashpra ndaj Zelenskyt në Zyrën Ovale, gjë që çoi në shtyrjen e firmosjes së saj.
Burimi: agjencitë e lajmeve Ansa & DPA.