Zëvendëskryeministrja në detyrë, Emilja Rexhepi, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje është në bisedime me NISMA-n rreth propozimit të dy ose tre emrave për postin e kryetarit të Kuvendit. Ajo bëri të ditur se qeveria aktuale në detyrë ka dhënë dorëheqjen e saj dhe tash i mbetet opozitës që nesër të votojë raportin për mandatin e deputetëve, për të hapur rrugën drejt konstituimit të legjislaturës së re.
“Ata janë duke biseduar dhe kjo, besoj, se do të duhej të ishte gati. Thjesht duhet të presim se cili emër do të jetë në rend dite për Kuvend. Nuk është aspak e rëndësishme nëse janë dy apo tre emra, për mua personalisht do ta votoj këdo që të propozohet si kryeparlamentar,” u shpreh Rexhepi në një intervistë për RTK.
Ajo theksoi se dorëheqja e qeverisë është bërë në dy faza: fillimisht me regjistrimin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe më pas para seancës së parë konstituive të Kuvendit.
“Edhe opozita do të duhej nesër të votojë raportin e mandateve dhe më pas të përfshihet në procesin e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, në mënyrë që t’i hapet rruga formimit të qeverisë së re,” përfundoi ajo.