Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të përgjysmojnë numrin e trupave të dislokuara në Siri gjatë muajve të ardhshëm, duke i reduktuar ato në më pak se një mijë ushtarë. Lajmi u konfirmua nga Pentagoni të premten, ndërsa u theksua se SHBA do të vazhdojë angazhimin në luftën kundër Shtetit Islamik (ISIS) në territorin sirian.
Trupat amerikane kanë qenë të pranishme në Siri për vite me radhë, si pjesë e një koalicioni ndërkombëtar kundër ISIS-it, i cili dikur kontrollonte zona të mëdha në Siri dhe Irak. Megjithëse grupi ekstremist ka pësuar humbje të konsiderueshme që nga viti 2017, ai vijon të përbëjë një kërcënim në disa rajone rurale, sipas agjencisë AFP.
Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, deklaroi se “Sekretari i Mbrojtjes ka urdhëruar konsolidimin e forcave amerikane në vende të përzgjedhura në Siri”, pa dhënë detaje për vendndodhjet specifike. Ai shtoi se ky proces do të jetë i “menduar dhe i bazuar në kushte”, duke nënvizuar se Komanda Qendrore e SHBA do të vazhdojë të jetë e përgatitur për të ndërmarrë sulme kundër mbetjeve të ISIS-it.
Që nga ngritja e ISIS-it në vitin 2014, SHBA ka ofruar mbështetje ajrore për forcat irakiane dhe Forcat Demokratike Siriane (SDF), të udhëhequra nga kurdët. Trupat amerikane, përveç ndihmës logjistike dhe këshillimore, janë përfshirë edhe në përleshje të drejtpërdrejta me xhihadistët në disa raste.
Edhe pse kalifati i shpallur nga ISIS u shpërbë zyrtarisht në mars të vitit 2019, celulat e tij ende mbeten aktive në disa zona të izoluara, ku forcat amerikane vazhdojnë operacionet për të parandaluar rikthimin e grupit.