Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka reaguar ashpër përmes një postimi në Facebook, duke theksuar se nuk do të ketë asnjë tolerancë ndaj atyre që mohojnë shtetësinë e Republikës së Kosovës.
Reagimi i saj vjen pas përfundimit të mandatit të Shkëlqim Devollit, i cili ka shërbyer si Konsull Nderi i Republikës së Kosovës në Mal të Zi, për rrethin konsullor të Rozhajës. Gërvalla ka bërë të ditur se vendimi për përfundimin e mandatit të tij është i pakthyeshëm dhe është marrë menjëherë pasi është informuar për rastin.
“Asnjëherë ‘Peć, Serbia’, por Pejë, Republika e Kosovës”, shkruan Gërvalla, duke theksuar se përdorimi i emërtimeve që mohojnë sovranitetin e Kosovës është i papranueshëm.
Sipas saj, individët që pranojnë tituj nderi të lidhur me dokumente që mohojnë Republikën e Kosovës, në fakt mohojnë historinë, sakrificën dhe ekzistencën e vetë shtetit të Kosovës.
“Po flasim për të njëjtët që, ndërsa përfitojnë nga Kosova, regjistrojnë biznese me adresa serbe, përhapin propagandë kundër udhëheqjes shtetërore dhe investojnë miliona për të njollosur imazhin e Kosovës”, theksoi ministrja.
Ajo përmbylli deklaratën duke thënë se ky vendim nuk është vetëm një akt administrativ, por një betim institucional se Kosova nuk do të përfaqësohet kurrë nga ata që i shërbejnë narrativave të shteteve që nuk e njohin pavarësinë e saj.
“Kushdo që mohon shtetësinë e Kosovës, nuk mund të jetë përfaqësues i saj”, përfundon Gërvalla.