Futbollisti i Barcelonës, Robert Lewandowski, ka pësuar një lëndim në muskulin e kofshës së këmbës së majtë, ka bërë të ditur sot klubi katalanas përmes një njoftimi zyrtar.
Lewandowski u lëndua të shtunën gjatë ndeshjes së xhiros së 32-të në La Liga, në përballjen dramatike mes Barcelonës dhe Celtas, e cila përfundoi me rezultat 4:3 në favor të blaugranave. Sulmuesi polak u detyrua të largohej nga fusha në minutën e 78-të, si pasojë e dhimbjeve muskulore.
Pas kontrolleve mjekësore të kryera të dielën, është konfirmuar se bëhet fjalë për një lëndim në muskulin e kofshës. Klubi nuk ka specifikuar kohën e rikuperimit, duke lënë të hapur mundësinë që lojtari të mungojë në disa ndeshje të rëndësishme.
Sipas mediave spanjolle, Lewandowski pritet të mungojë në ndeshjen e ardhshme të kampionatit, kundër Mallorcas, që zhvillohet të mërkurën. Po ashtu, ekziston rreziku i madh që ai të mos jetë i gatshëm as për finalen e Kupës së Mbretit ndaj Real Madridit, e cila është planifikuar për ditën e shtunë në Sevilje.
Mungesa e Lewandowskit do të ishte një goditje e madhe për Barcelonën në këtë fazë vendimtare të sezonit.