Papa Françesku ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare, pas problemeve të vazhdueshme shëndetësore, raporton agjencia italiane e lajmeve ANSA. Ati i Shenjtë u shua në rezidencën Casa Santa Marta në Vatikan, ku ishte transferuar pas daljes nga spitali Gemelli.
Lajmin për ndarjen e tij nga jeta e konfirmoi Kardinali Kevin Farrell, i cili u shpreh: “Të dashur vëllezër dhe motra, me dhimbje të thellë më duhet të njoftoj vdekjen e Atit tonë të Shenjtë Françesku. Në orën 07:35, Peshkopi i Romës u kthye në shtëpinë e Atit. E gjithë jeta e tij iu kushtua shërbimit të Zotit dhe Kishës së Tij. Ai na mësoi të jetojmë vlerat e Ungjillit me besnikëri, guxim dhe dashuri universale, veçanërisht për më të varfërit dhe të margjinalizuarit. Me mirënjohje të thellë për shembullin e tij si dishepull i vërtetë i Jezusit, ne ia dorëzojmë shpirtin e tij dashurisë së pafundme të Zotit.”
Vetëm një ditë më parë, të dielën e Pashkëve më 20 prill, Papa Françesku mori pjesë në meshën festive dhe dha bekimin tradicional “Urbi et Orbi” nga lozha e Shën Pjetrit, përpara se të përshëndeste besimtarët përmes një turneu në sheshin e mbushur me besimtarë.
Jorge Mario Bergoglio, i lindur më 17 dhjetor 1936 në Buenos Aires të Argjentinës, ishte Papa i 266-të i Kishës Katolike. Ai ishte jezuiti i parë që u ngjit në fronin papnor dhe gjithashtu Papa i parë nga kontinenti amerikan, duke lënë një gjurmë të pashlyeshme në historinë e Vatikanit dhe të Kishës Katolike.