Përmbajtja e librit shtjellohet në disa boshte tematike. Për nga rëndësia trajtimet e temave kanë, pothuaj, të njëjtën peshë. Por thirrja për drejtësi, për njohjen e gjenocidit çam të ushtruar nga andartët grekë, për fitoren e çështjes së drejtë çame ndihet e fortë ana-mbanë artikujve të përmbledhur në këtë libër. Është fjala për një sasi jo të vogël artikujsh të botuar, kryesisht, në gazetën “Telegraf”. Ashtu të veçuar, të botuar në kohë dhe në numra të ndryshëm të një gazete të njohur në botën e larmishme të mediave tona, ato shkrime vepronin me një ndikim të koncentruar.
Por dhe të përmbledhur në një libër të vëllimshëm, ndikimi i tyre mbetet i spikatur. Veçoria- veçantia e shkrimeve të Hyqmetit është pathosi, pasioni, empatia, që zhvillohen tek ai, sapo fillon të shkruajë për Çamërinë, për bijtë e saj dhe për çështjen çame. Kësaj veçorie i bashkëngjitet dokumentimi, argumentimi, faktet. Shkrimet e Hyqmetit janë “miniera” dokumentesh, historish e thëniesh autentike.
E çuditshme se ku i ka mbledhur dhe si i ka ruajtur; me fanatizëm(!). Me shumësinë e informacionit që na ka ofruar e na ofron autori, Hyqmet Zane, tregon se historia çame do shkruar e rishkruar, jo vetëm mbi burime të njohura, por dhe të reja, të munguara më parë.
Rrëfimi i autorit Hyqmet Zane, sidomos ai i masakrës ndaj popullit të pambrojtur çam, ka gjetur jehonë dhe rezonancë në subjekte dhe institucione të ndryshme. Ne një botim special të një organizate humanitare, që merret me mbrojtjen e të drejtave të popullsisë myslimane në Europë, në një studim kritik për politikën asimiluese greke, një vend të spikatur zë dhe Çamëria: gjenocidi ndaj çamëve, kuadri historik, patriotizmi i burrave çamë, qëndrimet miqësore ose armiqësore të instancave ndërkombëtare etj.
Mendova të ndalem pak në këtë material me qëllim krahasimi, me qëllim evidentimi me anë të krahasimit. Në procese të tilla ballafaqimi ndriçohen reciprokisht të dyja anët e krahasimit. Ne lexuesit, duke u gjendur para rasteve të tilla, nxjerrim përfundimet tona, përvijojmë receptimet tona që marrin më shumë siguri dhe forcë. Në tekstin gjermanisht thuhet: “Operacioni asgjësues kundër shqiptarëve në krahinën e Çamërisë, filloi më 27 qershor 1944. Ishte një gjenocid me vrasje e therje, prerje gjymtyrësh, çarje barqesh grash shtatzëna…”!
Nga 27 qershor 1944 deri në mars 1945, në tërë krahinën e Çamërisë, nga popullsia civile u vranë 3242 njerëz. 2900 prej tyre ishin burra të rinj ose të moshuar; 214 gra dhe 96 fëmijë, 714 gra u përdhunuan, 76 gra u rrëmbyen, 32 bebe u vranë, 68 fshatra u shkatërruan krejt, 5800 shtëpi e xhami u rrafshuan. Pas këtyre mizorive shqiptarët çamë, që mbetën gjallë, u larguan nga vendi i tyre. Pronat e të dëbuarve/të larguarve iu shpërndanë ardhacakëve. Të gjitha emrat e vendeve u greqizuan…” (Newsletter: Föderation der West-Thrakien).
Në këtë përmbledhje të re me artikuj të botuar, ose jo, tematizohet përsëri, me një forcë të re tematika e qëndrimeve greke, shqiptare dhe ndërkombëtare ndaj çështjes dhe gjenocidit çam. Autori e ngre përsëri zërin në mes të shurdhërisë së përgjithshme për të kaluarën tragjike dhe për të sotmen të shqiptarëve trashëgimtarë çam, plot probleme e padrejtësira.
Ai solidarizohet me qëndrimin luftarak të çamëve të Amerikës. Ashtu siç e përshkruan Hyqmeti, popullsia çame e SHBA-së, është e çliruar nga shumë komplekse që rëndojnë ende në jetën, mendjen dhe psikologjinë e etnosit çam që jeton në Shqipërinë, dje socialiste-sot (gjoja) demokratike!
Individët me origjinë çame, që jetojnë në Amerikë, kanë më shumë kurajo, janë më luftarakë, artikulojnë më me forcë e besim…! Shumë luftëtarë të çështjes çame, që jetojnë në Shqipëri, u referohen gjithnjë zhvillimeve, lëvizjeve dhe deklaratave të si – vëllezërve të tyre në SHBA-ës.
Hyqmeti, në disa shkrime të tij, duke kaluar nga masakra greke ndaj çamëve, ndalet në persekutimet që vazhduan në Shqipëri, në vendin – amë, ku çamët kërkuan shpëtimin dhe u gjetën të sulmuar me paragjykime, përbuzje, persekutime dhe burgime vandale. Janë të njohura në Shqipëri gjyqet për “Grupin e Teme Sejkos dhe Tahir Demit”.
Autori ndalet gjerësisht, me anë të bisedave me familjarë, në trajtimin mizor – antinjerëzor që iu bë familjarëve të të ashtuquajturit “grupi çam”. Nuk gjej fjalë t’i përsëris dhe njëherë ato që thotë Hyqmeti, për goditjen dhe terrorizimin e familjeve, që gjithsesi e kishin marrë një goditje me arrestimin kafshëror të familjarëve.
Në këtë përmbledhje i jepet shumë vend përmendjes dhe portretizimit të figurave të shquara, bij të Çamërisë. Krahas evidentimit të heroizmit të tyre, shpesh vijon zhgënjimi i harrimit dhe i mospërfilljes. Kjo ilustrohet ndër të tjera me harresën e 80-vjetorit të vdekjes së “Heroit të Popullit”, Ali Demi. Ky moment theksohet e rëndohet më tej me ndërhyrjen e motrës së heroit nga Boston-i i Amerikës: “Ç’bëhet andej, i harruat dëshmorët tanë…”?!
Harresat dhe nënvlerësimet autori i lidh shpesh me punën e Shoqatës “Çamëria” dhe PDIU-së. Kritika ndaj saj zë një vend të dukshëm në libër. Mllefi dhe zemërata ndaj Shoqatës “Çamëria” që “vegjeton” me përfaqësuesit e saj në Parlamentin Shqiptar, pa bërë asnjë lloj përfaqësimi, edhe pse është votuar nga qytetarë çamë. Në vështrim të fundit kjo shoqatë shpallet inekzistente. Përveç anës luftarake-patriotike të etnosit çam, autori i librit ndalet dhe në shpirtin arsimdashës të tij, përmenden individë, shkolla, shkollime, kurse arsimore brenda dhe jashtë Çamërisë.
Një tjetër bosht tematik përbën trajtimi i çështjeve që lidhen me Kosovën. Autori, Hyqmet Zane, i bashkërendon shpesh gjenocidin çam me atë kosovar (f. 181: Serbia në Veri të Kosovës dhe Greqia në Jug të Shqipërisë, dy vendet më antishqiptare të Europës). Kështu të bashkërenduar gjenocidet ndaj shqiptarëve, marrin forcë të veçantë akuzuese dhe denoncuese.
Një tematikë më vete përbëjnë përpjekjet dhe angazhimi i çamëve për të zgjidhur çështjen e tyre, lufta e tyre për drejtësi e dinjitet. Ato masakra dhe vrasje makabre të drejtuara nga gjenerali Napoleon Zerva, ishin aksione spastrimi, gjenocid i mirëfilltë. Filozofi i madh gjerman Karl Jaspers, në librin e tij “Für Völkermord gibt es keine Verjhärung”, (Mynih, 1979), (“Për gjenocidin nuk ka amnisti”), ka përmbledhur dhe një bisedë me gazetarin Rudolf Augstein, botuar dhe në “Spiegel” në vitin 1965. Me horizontin dhe skrupulozitetitn e shkencëtarit Jaspers, e veçon gjenocidin si krim, nga krimet e tjera.
Ndërsa krimet e luftës janë akte të përbindshme ndaj armiqve dhe përkrahësve të tyre, në rastin e gjenocidit kemi krime ndaj njerëzimit, duke i njohur vetes të drejtën për të vendosur se cilat grupe njerëzish do të mbeten dhe cilat do të zhduken nga faqja e dheut. Ky pretendim realizohet me shfarosje. Një shfarosje e tillë quhet gjenocid…! Në princip gjenocid do të thotë përmbushje e dënimit për një grup njerëzish, për një popullatë që nuk “meriton” të jetojë mbi dhe.
Ata, që e mbështesin dhe e kryejnë këtë shfarosje përbindshore, janë kriminelë ndaj njerëzimit…askush nuk ka të drejtë të gjykojë që një grup njerëzor nuk duhet të ekzistojë më…! Ata, që e vendosin dhe ata, që e kryejnë këtë, janë kriminelë të një lloji të veçantë krahasuar me masën tjetër të kriminelëve… (Shih për më shumë: Jaspers, Karl: Für Völkermord gibt es keine Verjährung / ‘Për gjenocidin nuk ka amnisti’, fq. 104 – 110) Jaspers shprehet qartë dhe i vendosur: Dënimi për njerëzit e përfshirë në krime gjenocidale, është vetëm një – me vdekje.
Ai është i bindur se dhe ata persona, që janë kundër dënimeve me vdekje, do ta pranonin këtë dënim për krime të dimensioneve të tilla. Në bisedë trajtohet dhe çështja e ligjeve dhe e instancave gjyqësore për çështje të tilla. Ajo që ndodhi dhe ndodh me gjenocidin çam, me njohjen dhe dënimin e tij, është e kundërta e qëndrimeve dhe propozimeve të Jaspers. Filozofi Jaspers e jetoi intensivisht kohën e deportimit në kampet e përqendrimit dhe aksionin e shfarosjes së hebrenjve, si qytetar gjerman dhe si bashkëshorti i një gruaje hebre.
Për këtë arsye dhe për arsyen e madhe që ai është një ndër themeluesit e ekzistencializmit (ku ekzistenca njerëzore vështrohet në të gjitha aspektet e saj), mendimi dhe zëri i tij kanë peshë e domethënie të veçantë njerëzore – shkencore. Gazetari Augstein, shpesh synon ta relativizojë e ta përgjithësojë dukurinë e shfarosjes masive, synon të zbusë mendimin radikal të Jaspers-it për dënimin me vdekje, në çdo rast e në çdo kohë të ekzekutorëve në shfarosjet gjenocidale. Në fq. 106, në fjalën e tij, Jaspers thekson dhe njëherë qartë që krimet kundër njerëzimit, në formën e gjenocideve, nuk janë të amnistueshme. Po ç’ndodh me qëndrimet zyrtare ndaj gjenocidit çam?!
Si në materialin e librit të botuar të autorit të njohur Hyqmet Zane, ashtu dhe në një literaturë të gjerë kombëtare dhe ndërkombëtare, analizohet lufta dhe përpjekjet (shpesh pa sukses), për të sensibilizuar mbarë opinionin për çështjen çame, brenda dhe jashtë vendit.
Autori i librit përmend dhe ndalet me interesim të veçantë në persona me kontribute të veçanta për Çamërinë, etnosin çam dhe çështjen çame. Do të veçonim Resul Musa Demin nga Filati i Çamërisë. Madje autori e fillon librin me një rekuiem për Resul Demin, që u nda nga jeta para pak kohësh. Një laudatio e veçantë vlen dhe për Tahir Muhedinin, që si përfaqësues i komunitetit çam troket në Departamentin e Shtetit, me bindjen se Amerika është vendi i lirisë, i respektimit të të drejtave të njeriut dhe i dënimit të gjenocideve.
Në shkrimin me titull “Një kujtesë pas 60 vjetësh”, Hyqmet Zane i kthehet dhe njëherë “Grupit çam”, këtë herë me anë të bisedave të zhvilluara me familjarë të viktimave, me djemtë e Teme dhe Taho Sejkos: Rajmond dhe Hektor Sejko; me djalin e Tahir Demit, Ilir Demi etj.
Përshkrimet e familjarëve të mbijetuar janë të tilla që të “ngjethin mishtë”: Dhe nuk të ndahet pyetja: Si është e mundur që njeriu të torturojë njeriun në mënyrë kaq përbindshore…! Për më tepër i ashtuquajturi “Grupi çam”, ishte i sajuar nga partia dhe hetuesia. Të gjithë ata, që u torturuan, u mbytën përbindshëm dhe nuk arritën dot të pushkatoheshin siç e vendosi gjykata, ishin të pafajshëm. Ndëshkimi ra i pamëshirshëm edhe mbi familjet e tyre…!
Polemikat politike me titullarë institucionesh të sotme greke që shfaqen me qëndrimet tradicionale historike në dëm dhe kundër çështjes çame, zënë një vend të rëndësishëm në libër. Në raste të tilla autori argumenton me fakte e ngjarje të pakundërshtueshme në realitetin e tyre. Duke e njohur mirë forcën e krahasimit në përshkrimin dhe analizën e situatave, Hyqmeti ballafaqon shpesh gjenocidin çam me atë kosovar.
Të dy gjenocidet flasin për fatin tragjik të shqiptarëve të Çamërisë dhe të Kosovës, më gjerë tregojnë se popujt, grupet e ngushta etnike, vendet e vogla janë nëpërkëmbur shpesh nga fuqitë e mëdha agresive. Veç historia ka qenë në anën e tyre, ata janë imponuar gjithnjë me rezistencën dhe shpirtin patriot e liridashës. Siç e kemi thënë vazhdimisht autori i këtij libri është gjithnjë në kërkim e në analizim.
Një tematikë e re në këtë botim është dhe historia e të riut çam, Nusret Alizoti, që u pushkatua pa gjyq në fillimin e erës socialiste. Pasi ke lexuar e ke marrë kaq shumë informacion mbi krimet, masakrat, padrejtësitë, të duket se në atë zonë të ngushtë çame, nuk kishte e nuk mund të kishte gëzime e festa për të promovuar ekzistencën dhe vazhdimësinë e jetës njerëzore. Por autori, nuk “hedh” vetëm pezm, vrer, indinjatë në përmbajtjen e shkrimeve të këtij botimi.
Diku, në faqen 170, feks një rreze gëzimi: dasma çame me këngët, vallet dhe zakonet çamërishte ngjyros krejt horizontin e zymtë të historisë dhe të çështjes (ende të pazgjidhur) të etnosit çam. Edhe pse autori përdor si material-bazë përshkrimin e dasmës nga një person anonim (në vitet 1936 – 1937), kuptohet dhe ndjehet qartë aprovimi i tij, entuziazmi i tij për ngjarje të tilla, dëshmi të një niveli të lartë shpirtëror – kulturor.
Pasi je njohur me materialet e këtij libri, pasi je befasuar nga informacioni i bollshëm, shpesh i panjohur nga botime të mëparshme, mbetesh gjithnjë kurioz dhe në pritje të temave, ngjarjeve, trajtimeve të tjera të reja. I urojmë autorit një rrugëtim të mbarë në punën e nisur, për t’ia sjellë lexuesit “botën” çame ashtu të pasur, plot përpjekje, vuajtje, gëzime e vitalitet! Memorie.al