Në një deklaratë për media, Çerkini është pyetur edhe për motivacionin e kësaj vrasjeje, që tronditi opinionin publik.
“Është herët të flasim për motivin, por deri më tani ajo që kemi parë ka të bëjë me punën e tij si pjesëtar i Policisë së Kosovës,” deklaroi ai përcjell Insajderi.
Ai potencoi gjithashtu se nuk ka asnjë lidhje mes kësaj vrasjeje dhe djegies së lokalit të rreshterit, duke përjashtuar këtë pistë si të paverifikuar dhe jashtë hetimeve aktuale.
Çerkini, ka konfirmuar se në kuadër të aksionit të sotëm në Kaçanik, i cili lidhet me hetimin e vrasjes së rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika, janë ndaluar dhe po intervistohen shtatë persona të dyshuar.
“Dhe sot kemi arritur që shtatë persona, të cilët dyshohen se kanë marrë pjesë në vrasjen e rreshterit Muhamed Lika, të jenë në proces intervistimi. Është një punë e palodhshme që po bëhet nga ekipi ynë dhe sot kemi një rezultat preliminar, ndërsa me vendim të prokurorit po vazhdon procesi,” tha Çerkini.
Kryeprokurori shtoi se ky hetim është marrë me përkushtim maksimal dhe me ndjenjë përgjegjësie ndaj shtetit dhe ndaj viktimës.
“Ia kemi pasur borxh Kosovës dhe rreshterit Lika që ta çojmë këtë rast përpara dhe të arrijmë në një rezultat si ky që kemi sot. Do të vazhdojmë me procedurat dhe do të shohim cilat do të jenë të rejat në vijim.”