Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka shprehur shpresën se përpjekjet e tij për të ndihmuar në zgjidhjen e konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës do të japin së shpejti rezultate. Në një postim në rrjetin e tij social Truth Social, ai shkroi me shkronja kapitale: “Shpresoj që Rusia dhe Ukraina të arrijnë një marrëveshje këtë javë”.
Trump shtoi se pas arritjes së një marrëveshjeje, të dy vendet do të mund të zhvillojnë marrëdhënie të rëndësishme tregtare me Shtetet e Bashkuara, të cilat sipas tij “po ecin jashtëzakonisht mirë”, dhe do të kenë mundësi të përfitojnë ekonomikisht.
Të premten, ai paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen nga roli ndërmjetësues nëse palët nuk arrijnë një marrëveshje. “Nuk kemi një afat të saktë, por duam që kjo të përfundojë së shpejti,” deklaroi ai.
Në komentet e tij, Trump nuk fajësoi as presidentin rus Vladimir Putin, as atë ukrainas Volodymyr Zelensky, por theksoi nevojën që të dyja palët të bëjnë përparim dhe të mos e vështirësojnë procesin e paqes.
Ndërkohë, presidenti rus Putin shpalli një armëpushim 30-orësh me rastin e Pashkëve, gjatë së cilës Kievi dhe Moska akuzuan njëri-tjetrin për shkelje të marrëveshjes. Armëpushimi përfundoi në mesnatë sipas orës së Moskës (21:00 sipas kohës së Evropës Qendrore), ndërsa sot raportohen sulme të reja me dron nga Ukraina ndaj caqeve ruse.