Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, ka mbërritur të hënën në Indi për një vizitë katërditore, ku pritet të takohet me kryeministrin indian, Narendra Modi. Vizita vjen në një kohë kur Nju Delhi po përpiqet të shmangë tarifat e larta amerikane përmes një marrëveshjeje të hershme tregtare dhe të forcojë lidhjet me administratën Trump.
Në ditën e parë të vizitës, e cila është pjesërisht private, Vance dhe familja e tij pritet të vizitojnë monumentin e Taj Mahalit dhe të marrin pjesë në një dasmë në qytetin Jaipur. Bashkëshortja e tij, Usha Vance, është me prejardhje indiane, vajza e emigrantëve nga India.
Vance zbarkoi në aeroportin Palam të Nju Delhit pasi vizitoi më herët Romën, ku zhvilloi një takim privat me Papa Françeskun me rastin e Pashkëve.
Gjatë vizitës së tij, Vance dhe Modi pritet të diskutojnë progresin në agjendën dypalëshe të vendosur në muajin shkurt, kur kryeministri indian u takua me Presidentin Donald Trump në Uashington. Temat kryesore përfshijnë drejtësinë në marrëdhëniet tregtare dhe zhvillimin e partneritetit në fushën e mbrojtjes.
India, një ndër partnerët kryesorë të SHBA-së në rajon, është shprehur e gatshme të ulë tarifat për më shumë se gjysmën e importeve amerikane, të cilat arritën vlerën e 41.8 miliardë dollarëve në vitin 2024, si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme. Megjithatë, presidenti Trump ka kritikuar vazhdimisht Indinë, duke e cilësuar si një “abuzues të tarifave” dhe “mbret të tarifave”.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Indisë, Randhir Jaiswal, deklaroi: “Kemi shumë besim se kjo vizitë do të japë një shtysë të mëtejshme lidhjeve tona dypalëshe.”
Aktualisht, SHBA është partneri më i madh tregtar i Indisë, me një vëllim tregtar që pritet të arrijë në 129 miliardë dollarë në vitin 2024 dhe një tepricë prej 45.7 miliardë dollarësh në favor të Indisë, sipas të dhënave zyrtare amerikane.
Zyrtarët në Nju Delhi synojnë të finalizojnë një marrëveshje tregtare me SHBA-në brenda një periudhe 90-ditore, të shpallur nga Trump më 9 prill, gjatë së cilës do të pezullohen tarifat e reja për partnerët kryesorë tregtarë, përfshirë Indinë.
Vizita e Vance konsiderohet si një përgatitje për vizitën e planifikuar të Presidentit Trump në Indi më vonë gjatë këtij viti, në kuadër të samitit të liderëve të Kuartetit (QUAD), që përfshin SHBA-në, Indinë, Japoninë dhe Australinë.
Po ashtu, pritet nënshkrimi i një marrëveshjeje kuadër për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes, me plane për prokurimin dhe bashkëprodhimin e pajisjeve ushtarake, përfshirë raketat e drejtuara antitank Javelin dhe automjetet e blinduara Stryker. Këto çështje do të diskutohen edhe gjatë një vizite të pritshme të Sekretarit të Mbrojtjes së SHBA-së, Pete Hegseth, në muajt në vijim.