Gazetari Lirim Mehmetaj ka bërë publike pasurinë e deklaruar në vitin 2021 nga Alim Rama, Sekretar Organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, duke e cilësuar atë si marramendëse. Sipas Mehmetajt, Rama ka pasur të deklaruara mbi 1.278.041 euro të ruajtura në llogari bankare.
Në një postim në Facebook, gazetari publikoi tabelën zyrtare të deklarimit të pasurisë së Ramës, e cila ishte bërë në kohën kur ai mbante pozitën e anëtarit të KQZ-së – pozitë që kërkon deklarim të detyrueshëm të pasurisë.
“Sekretari Organizativ i Vetëvendosjes veç para cash në bankë i paska 1 milion e 278 mijë e 41 euro. Madje këto në vitin 2021, kur është obligu me deklaru pasurinë si anëtar i KQZ-së nga Vetëvendosje,” shkroi Mehmetaj.
Ai shtoi se 720 mijë euro ishin të depozituara në banka në Kosovë dhe mbi 550 mijë euro në një bankë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Po ashtu, Rama kishte deklaruar edhe dy banesa, një shtëpi dhe dy parcela.
Sipas Mehmetajt, Rama aktualisht nuk është i obliguar të deklarojë pasurinë, pasi nuk mban një pozitë publike që e kërkon këtë.