Presidenti rus Vladimir Putin ka shprehur për herë të parë gatishmërinë për bisedime të drejtpërdrejta me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, që prej fillimit të luftës në shkurt të vitit 2022. Lajmi u bë i ditur nga BBC, duke cituar një intervistë të presidentit rus për televizionin shtetëror rus.
Putin tha se Rusia do të shqyrtojë seriozisht propozimin e Ukrainës për zgjatjen e armëpushimit, me qëllim parandalimin e sulmeve ajrore ndaj infrastrukturës civile. “E gjithë kjo duhet të studiohet me kujdes, ndoshta edhe në nivel dypalësh,” tha ai, duke iu referuar mundësisë së negociatave të drejtpërdrejta me Ukrainën.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, konfirmoi më pas se Putin i referohej bisedimeve direkte me Kievin. “Kur presidenti foli për diskutime mbi ndalimin e sulmeve ndaj objektivave civile, ai kishte parasysh negociata me palën ukrainase,” deklaroi Peskov për agjencinë ruse të lajmeve Interfax.
Putin theksoi gjithashtu se Rusia mbetet e hapur ndaj nismave të paqes. “Shpresoj që përfaqësuesit e regjimit të Kievit të mendojnë në mënyrë të ngjashme,” shtoi ai.
Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nuk reagoi drejtpërdrejt ndaj deklaratës së Putinit, por në fjalimin e tij të mbrëmjes ai tha se Ukraina është e gatshme për çdo bisedë që synon garantimin e sigurisë së civilëve. Ai kërkoi gjithashtu një përgjigje të qartë nga Moska lidhur me ndalimin e sulmeve ndaj infrastrukturës civile.
Deri më tani, nuk ka pasur asnjë bisedë të drejtpërdrejtë mes dy liderëve që nga shpërthimi i konfliktit. Kjo deklaratë përfaqëson një zhvillim potencialisht të rëndësishëm në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës, që ka shkaktuar mijëra viktima dhe dëme të mëdha në të dyja palët.