Trajneri i Milanit, Sergio Conceição, ka deklaruar se skuadra e tij nuk ka nevojë për motivim shtesë për ndeshjen kundër Interit, duke theksuar se objektivi i vetëm është kualifikimi në finalen e Kupës së Italisë.
Milani dhe Interi përballen të mërkurën në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Kupës së Italisë, pas barazimit 1:1 në ndeshjen e parë të zhvilluar më 2 prill.
“Motivimi nuk vjen nga kundërshtarët, por nga puna jonë e përditshme. Fatkeqësisht, nuk kemi më shanse në Serie A, as për Ligën e Kampionëve, dhe kjo është arsyeja pse jemi të përqendruar vetëm te ndeshja e nesërme,” tha Conceição në konferencë për shtyp, cituar nga faqja zyrtare e klubit.
Ai vlerësoi rëndësinë e sfidës ndaj rivalëve të qytetit dhe shtoi se për një klub si Milani, pjesëmarrja në finale është një detyrim.
“Kjo është një ndeshje e rëndësishme për të gjithë — lojtarët, klubin dhe tifozët. Milani duhet të luftojë për Scudetton dhe Ligën e Kampionëve. Është normale të jemi në finale të Kupës. Përgëzoj Interin për rezultatet e tyre në Champions League dhe në kampionat — kjo flet shumë për forcën e tyre. Por për ne, kjo ndeshje është thelbësore: duam të fitojmë dhe ta sjellim trofeun te tifozët.”
Sipas mediave italiane, lojtarët Kyle Walker dhe Ruben Loftus-Cheek pritet të jenë të gatshëm për ndeshjen ndaj Interit.
“Walker është rikthyer në stërvitje me ekipin, edhe pse ende nuk është në formën e tij maksimale. Por si ai, ashtu edhe Loftus-Cheek do të jenë pjesë e skuadrës,” përfundoi trajneri Conceição.