Në prag të nisjes së sezonit të plazhit, bizneset turistike po përpiqen të plotësojnë vendet e lira të punës.
“Ka nevojë për menaxherë, kamerierë dhe sanitarë. Ka mangësi për këto pozicione,. Rrogat janë rritur, duke filluar nga sanitaret deri te shefat e kuzhinës, kanë paga mjaft të kënaqshme. Sanitaret në hotelet në bregdet variojnë pagat deri në 1200 euro, kamerierët 1200-1500 euro, kuzhinierët fillojnë nga 2000 euro e lart, sipas standardit të hotelit”, tha Kujtim Dervishi, nga Shoqata e Bareve dhe Restoranteve Turistike.
“Jemi në prag të fillimit të sezonit turistik. Shumë struktura kanë filluar fushatën e kërkimit të burimeve njerëzore, po përpiqemi të ezaurojmë në maksimum ata që janë të interesuar të punësohen në këtë sektor. Pagat në sektor janë dy-trefishuar”, deklaroi Vasil Bedinaj, operator turistik për jugun.
Sipas të dhënave nga Agjencia Kombëtare e Punësimit, vetëm për 3 muajt e parë të vitit, janë regjistruar afro 2.200 vende të lira pune në sektorin e turizmit, ndërsa nevoja gjithëvjetore është disa herë më e madhe.
“Duhen 10-12 mijë punonjës që të plotësojnë nevojat e të gjithë sektorit. Për t’i mbajtur punonjësit gjatë gjithë vitit, është e domosdoshme që të gjendet një e mesme dhe të paguhen sigurimet shoqërore nga qeveria”, shtoi Dervishi.
Numri më i madh i vendeve të punës në industrinë e turizmit, sipas Agjencisë Kombëtare të Punësimit, është në Durrës, pasuar nga Saranda, Vlora dhe Tirana. 68% e vendeve të lira kërkohen me eksperiencë pune, ndërsa për 22% të pozicioneve, biznesi siguron edhe transportin për punonjësit.